Sot mbushen 10 vjet nga vdekja e shkrimtarit, publicistit dhe përkthyesit Amik Kasoruho (20 nëntor 1932- 4 maj 2014).

Amik Kasoruho lindi më 20 nëntor të vitit 1932 në Tiranë. Në moshën 17-vjeçare u arrestua nën akuzën e agjitacion-propagandës kundër pushtetit popullor. Në vitin 1951 i pushkatojnë pa gjyq babain, Qemal Kasoruhon me akuzën e përfshirjes në incidentin e shpërthimit të bombës pranë Ambasadës Sovjetike. Pasi vuajti dënimin në burgun e Burrelit për 7 vite rresht, u internua bashkë me familjen në fshatin Gosë, të qytetit të Kavajës. Gjatë regjimit komunist punonte si punëtor krahu, apo ndërtimi, gjeometër etj. Pas përmbysjes së sistemit ai emigroi në Itali ku jetoi deri në vitin 2009. Gjatë kësaj kohe u mor me shkrime, përkthime etj.

Kasoruho është autor i veprave si, “Një ankth gjysmëshekullor” (1997), “Çmimi i një ëndrre” botuar në Itali (2000), “Midis qiellit dhe burgut”, i romanit autobiografik “Ikje nga trilli i perëndive”, “Midis burgut dhe dritës”, “Çmimi i një ëndrre”, “Fluturimi i gjatë i një ore”, “Një ankth gjysmëshekullor – Shqipëria e Enver Hoxhës”, “Pa mëri – Publicistika e jetës sime”.

Amik Kasoruho ka përkthyer në shqip vepra nga Pirandello, Isabel Allende, Harold Robbins, Patrick O’Brian, John Selby etj.

Ai është fitues i çmimit special të jurisë në konkursin “Eks & Tra” për shkrimtaret emigrantë në vitin 1999. Në 2000 ka marrë çmimin “Civitas – Arberia 2000 Calabria” për mirëmbajtjen e revistës italo-shqiptare të arbëresheve “Katundi Ynë”. Shkrimtari i njohur jetonte ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.

Në vitin 2012, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi Amik Kasoruhos Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Personalitetit të shquar të kulturës kombëtare, që si përkthyes i jashtëzakonshëm, si shkrimtar i rrallë, publicist, poet e artist, e pasuroi atë, duke i dhënë vlera e cilësi të reja. Intelektualit atdhetar, që u bë ndër shembujt më domethënës të qëndresës së papërkulur ndaj persekutimit të diktaturës komuniste, duke treguar fitoren e dinjitetit njerëzor dhe integritetit moral, e duke u bërë pikë referimi në historinë e kulturës kombëtare.”

Amik Kasoruho ndërroi jetë më 4 maj 2014.

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” sjell në kujtim në Amik Kasoruhos dy krijime:

Atit tem

Tash srish fëmi e ndiej un vedin prore

kur mundi m’fal at jetë që ti bore

o Ati im që u trete

e rri mendon e nis e flas me vete.

Si, kur kërthi, mbërthye më kish kllapija;

deh kthen e bjena gazin prap t’u shpija!

A s’lodhe tue kundrue

ndër qjeje amshimi at hir që nuk u shue?

O kish ta dishe lotin që s’loton

si sytë verbue i a pati nan’s, si vlon

kjo zemër e tyt biri

kah rri e vron si nalt ndër qieje hiri.

 

Më duaj

Kur dallga të qetohet

Dhe në breg të mbetet gjurma e vrullit

Që nga larg e solli deri aty,

Më kujto!

Kur rrezja e fundit e diellit

T’i lëbyri sytë e etur për dritë,

Mendomë

Kur të vijë të të rrethojë

Të ftohtit e natës dhe ti t’ndjesh nevojë

Që të të ngrohë dikush,

Kujtomë.

Kur kujtesa do të jehojë tinguj të harruar

Fjalësh dashurore,

Që kan’mbetur të ngrira në kohë,

Kur një lëmsh i hidhur të të ngjitet lart në grykë

Dhe të të duket se po të merr frymën,

Kur zemra t’të rrahë

Si të dojë të dalë jashtë parzmit, si zog që përpëlitet,

Kujtohu për atë që të pati Hyjni

Dhe të deshi si mund të duhet një grua./ata