Gazetarja e njohur e kulturës, Jetona Koçibelli ka hapur në COD ekspozitën e radhës, të titulluar “BACKSTAGE SHOW”.
Koçibelli njoftoi për këtë aktivitettë lidhur me lirinë e media, në një postim të saj në rrjetet sociale në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit (3 maj).
“Liria e medias është një postulat universal, por vetëm në botën demokratike ka vlerë! Sa më shumë demokraci të ketë një shoqëri, aq më shumë liri do ketë dhe media! Pra, edhe media, është produkt i shoqërisë! Si të jetë shoqëria, atë fytyrë ka dhe media! Nisur nga episodet e shumta dhe jo vetëm, dilema është kjo: a është në të vërtetë demokratike shoqëria jonë, sistemi ynë?
Në kronologjinë historike lind pyetja: A ishte demokratik apo çfarë sistemi kishte Shqipëria pas shëmbjes së regjimit komunist, kur filloi persekutimi e lincimi i gazetarëve opozitarë?”, shkruante ajo në postim.
Sot ekspozitën e vizitoi edhe Kryeministri Edi Rama, i cili shprehet se ekspozita e veçantë e gazetares Jetona Koçibelli në kryeministri për Lirinë e Shtypit, ia vlen të vizitohet.
Ekspozita BACKSTAGESHOW, e kuruar nga Koçibelli në Qendrën për Hapje dhe Dialog, çel për publikun dilemen nëse: Liria është një nocion gjeneralist!
“Sot kemi liri të shfrenuar falë epokës digjitale, ku kemi zëvendësuar paradoksalisht parrullën komuniste “Gjithë populli ushtar” me parrullën demokratike “Gjithë populli gazetar”, shprehet Koçibelli.
Ekspozita do të jetë e hapur për publikun në COD, Biblioteka e Kryeministrisë, në datat 4 – 9 maj 2024, në oraret 9:30-14:00 dhe 17:30-20:30./ata