Mbi 4000 mësues janë trajnuar deri tani nga Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu në një postim në rrjetet sociale.
Manastirliu vuri në dukje se vijon trajnimi për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies në lëndët Matematikë, Fizikë, Kimi, Biologji, Gjuhë Shqipe dhe Letërsi dhe Arsimi Fillor.
“Për herë të parë, trajnimi i mësuesve, i organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit është mbështetur nga 7 universitete publike, ku janë përfshirë 130 pedagogë e trajnues të kualifikuar nga këto universitete, me synim njohjen e mësuesve me metodat inovatore dhe efektive të mësimdhënies”, nënvizoi Manastirliu.
Në videon e publikuar nga ministrja Manastirliu, prof. as. dr. Anila Mullahi tha se “janë trajnime efikase, e thënë kjo edhe nga mësuesit, të cilët janë ndier të riaftësuar, sepse ata kanë nevojë jo vetëm të mësojnë gjëra të reja, por të risjellin dhe një herë në kujtesën e tyre informacionet që kanë pasur. U është rritur edhe vetëvlerësimi për profesionin. MAS e ka ndjerë të nevojshme përmes një strategjie kombëtare t’i risjellë ata në bankat e shkollës jo më si studentë, por si profesionistë me eksperienca shumë të mira”.
Prof. dr. Dhurata Shehri u shpreh se “besoj se u vlen shumë ky trajnim, së pari, me ato që janë të reja; së dyti, njohja e përdorimit të teknologjive të reja”.
Për trajnimet e mësuesve po kontribuojnë me asistencën e tyre pedagogë nga 7 universitetet publike të vendit, të cilat janë të njohura për kontributin e tyre në formimin dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit në Shqipëri si Universiteti i Tiranës, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Durrësit, Universiteti i Korçës, Universiteti i Vlorës, Universiteti i Gjirokastrës dhe Universiteti i Shkodrës.
Pedagogë dhe trajnerë të zgjedhur për ekspertizën e tyre po japin një mbështetje të vazhdueshme dhe të personalizuar për mësuesit, duke garantuar një zhvillim profesional cilësor dhe të orientuar drejt praktikës
Synimi është që deri në 2026-ën nga Programi Kombëtar i Zhvillimit të Mësuesve të trajnohen mbi 16 000 mësues në vend, duke i pajisur ata me njohuri dhe aftësi që do të ndikojnë pozitivisht në cilësinë e arsimit./ata