U shfaq në sallën “Forum” të COD-it, një tjetër film shqiptar i restauruar.

Falë bashkëpunimit të Qendrës për Hapje dhe Dialog dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, u shfaq komedia “Përrallë nga e kaluara“. Filmi i prodhuar nga kinostudio “Shqipëria e re”, është bazuar në novelën me titull “14 vjeç dhëndërr” të Andon Zako Çajupit. Regjisori Dhimitër Anagnosti i dha jetë kësaj novele me një trupë aktorësh të papërsëritshëm, në vitin 1987.

Komedia trajton historinë e martesës së Gjinos, 14-vjeçar me Marigonë 28-vjeçare. Filmi shpalos hakmarrjen e Marigosë me të gjithë ata që sajuan këtë martesë të pazakontë dhe ku në fund fiton duke u bashkuar sërish me njeriun që dashuronte.

E pranishme gjatë shfaqjes ishte edhe drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, Marinela Ndria, e cila bëri një panoramë mbi procesin e realizimit të një filmi të restauruar, gjithashtu dhe rrëfeu për punën kolosale që AQSHF ka zhvilluar për të ruajtur dhe servirur në gjendje optimale tek publiku këto pasuri kombëtare kinematografike./ata