Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, PS do të vazhdojë të mos komentojë për çështjet nën hetim nga SPAK.

Në mbledhjen e zhvilluar sot me Grupin Parlamentar dhe Kabinetin Qeveritar për adresimet mbi qeverisjen, ligjin, korrupsionin dhe Nismën e Re Kombëtare për Shqipërinë 2030, Rama tha se, “fatkeqësisht pre e daulleve të tyre shurdhuese bien hera-herës dhe njerëz të mirë, njerëz të mençur njerëz të ndershëm që me të drejtën e Zotit kërkojnë më shumë rezultate nga e gjithë kjo përpjekje dhe me të drejtën e Zotit neveriten kur del llumi nga pusetat e hapura prej drejtësisë. Një llum që lidhet duam s’duam ne, edhe me ne. Llum nga shtëpia jonë”.

“Mirëpo përgjegjësia para ligjit është vetëm individuale, ndërsa llogaridhënia është institucionale, prandaj për ne është shumë e qartë, para ligjit kush ka përgjegjësi për shkeljen e ligjit. Para popullit kush ka përgjegjësi për të dhënë llogari për çfarëdo qoftë, sa herë është nevoja deri ditën kur vetë popullit i vjen radha të bëjë llogaritë e mandateve që ka shpërndarë. Kjo është politika demokratike”, tha Rama.

“Ja dhe llogaridhënia ime tani për çfarë thashë. Mua do më duhej të mbaja sot një përgjegjësi të madhe morale në fakt, nëse do të kisha dashur vërtetë ta kapja drejtësinë për llogari të pushtetit të kësaj partie. Nëse reforma në drejtësi nuk do ta kishte hapur rrugën e lindjes së lindjes së Strukturës Speciale Antikorrupsion, apo nëse gryka e re e zjarrit të drejtësisë të dalë nga kjo reformë do të godiste vetëm kundërshtarët e kësaj partie dhe kësaj qeverie. Atëherë po do të ishte një problem dhe do të ishte përgjegjësia ime morale përpara të gjithë atyre që na besuan vërtet, me të drejtë dhe që nuk do t’i zhgënjejmë për reformën në drejtësi edhe përpara kësaj partie, pa diskutim. Por përgjegjësi morale pse po goditet pandëshkueshmëria, pse drejtësia s’po shikon as majtas, as djathtas, por vetëm drejt? Pse në ndërkohë që ne po vazhdojmë të ndërtojmë sistemet e mbrojtjes nga korrupsioni Struktura Speciale të drejtësisë po godasin diversantët e korrupsionit para nesh, kjo është absurde. Kjo është absurde sepse këtë kemi dashur, për këtë kemi punuar dhe kjo po ndodh”.

“Nuk kemi ditur emra, por kemi ditur që duke u tërhequr nga kontrolli i drejtësisë asnjë emër nuk ka më asnjë rëndësi. Sa të fajshëm apo sa të pafajshëm janë ata që i ka gjykuar apo i gjykon drejtësia, këtë si askush tjetër në vendin tim, unë jam i pari Kryeministër i këtij vendi që ia kam lënë tërësisht në dorë ta thojë vetëm drejtësia. Madje pa bërë asnjë koment, as gëk as mëk. Kjo parti dhe kjo qeveri e hapin gojën për këtë temë vetëm për të mbështetur pa rezerva SPAK-un dhe Gjykatën Speciale dhe kjo nuk ka për të ndryshuar”.

“Pavarësisht se e di mirë edhe unë, siç e dini ju të gjithë dhe e dinë plot tjerë, të cilët për shkak të eksperiencës, ekspertizës së tyre juridike edhe kanë qenë pjesë e rrugës së reformës në drejtësi se ky proces hetimesh dhe dënimesh që ka nisur kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë është shumë larg së qeni i përsosur. Ka plot probleme dhe mangësi. Ka edhe rrëshqitjet e veta në shtratin e kulturës së vjetër të sjelljes me ligjin dhe me të drejtat dhe liritë e njeriut, pa diskutim. Por, pavarësisht, kjo parti do të vazhdojë të mos komentojë për çështjet nën hetim nga SPAK”, tha Rama./ata