Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, në Prokurorinë e Tiranës janë  80 raste për evazion fiskal për qindra miliona euro të shmangura nga detyrimet tatimore që ende nuk janë hetuar

Në mbledhjen e zhvilluar sot me Grupin Parlamentar dhe Kabinetin Qeveritar për adresimet mbi qeverisjen, ligjin, korrupsionin dhe Nismën e Re Kombëtare për Shqipërinë 2030, Rama tha se, “Prokurorët dhe gjykatësit e Strukturës Speciale Antikorrupsion nuk kanë ardhur nga hëna. Janë shkolluar dhe kanë punuar këtu në Shqipëri. Janë rritur në një sistem drejtësie, plot me gjarpërinj e me hardhuca nëpër këmbë. Siç ishte sistemit që reforma në drejtësi shembi në letër, por që do të dojë kohën e vetë të funksionojë tërësisht si në letrat e shkruara Kushtetutë dhe në ligjet përkatëse dhe në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

“SPAK-u dhe prokuroria e Tiranës janë në një distancë fizike më pak se 1 kilometër. Në SPAK kërkohet llogari edhe për një punonjëse të thjeshtë, për një procedurë tenderi. Në Prokurorinë e Tiranës mbrohet evazioni fiskal. Janë 80 raste. Tani e kam humbur dhe numërimin, që flenë prej vitesh në Prokurorinë e Tiranës për evazion fiskal. Ndër ato raste ka edhe nga ata që ndryshe quhen oligarkë. I kemi çuar ne. Bëhet fjalë për qindra miliona euro të shmangura nga detyrimet tatimore”, tha Rama.

“Ajo është distanca, më pak se 1 kilometër. Tjetër drejtësi atje, tjetër drejtësi atje. Dhe nuk ka forcë. Nuk ka mal me dosje. Nuk ka lumë me shifra që e tund evazionin fiskal, që e ka bërë strehë Prokurorinë e Tiranës”, tha Rama.

“Thonë gojët e liga që për çdo dosje ka rend, por unë nuk merrem me thashetheme”, u shpreh Rama./ata