Shqipëria, e vendosur midis Lindjes dhe Perëndimit, është një nga vendet më autentike në Evropën Jugore, shkruan Juan Calleja në një artikull të edicionit spanjoll të “National Geographic”.
E vendosur në Gadishullin Ballkanik, ajo kufizohet me Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Malin e Zi, dhe rreth tre milionë banorët e saj jetojnë në një territor të ngjashëm në madhësi me rajonin e Galicisë.
Bregdeti i saj është një festival peizazhesh dhe plazhesh.
Shqipëria jetoi për më shumë se katër dekada nën regjimin e rreptë komunist që e mbajti vendin të izoluar nga bota deri në vitin 1991.
Pavarësisht se ka qenë një republikë parlamentare për 30 vjet dhe ka zhvilluar një hapje graduale drejt botës së jashtme – që nga viti 2014 Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Ajo ruan një natyrë të egër dhe mbetet një destinacion që nuk është prekur ende nga mbipopullimi i turistëve të huaj.
Riviera shqiptare, një serendipitet i vogël në jugperëndim të vendit që ndërthur në mënyrë perfekte plazhet dhe perëndimin unik të diellit dhe – gjithashtu – çmimet e pakrahasueshme.
SARANDA
Udhëtimi me traget nga ishulli i Korfuzit (Greqi) në qytetin e Sarandës zgjat rreth një orë e gjysmë, duke i mundësuar udhëtareve të njihen me ujërat blu transparente të detit Jon, që do t’i shoqërojë gjatë këtij udhëtimi.
Përpara se të arrini në portin e Sarandës do të shihni një bregdet të pjerrët me male të larta dhe disa limane.
Me të zbarkuar në portin e vogël, turistët do të shohin një pamje të ngjashme me atë të destinacioneve bregdetare spanjolle si Benidorm, me ndërtesa të panumërta që ngjiten në shpatin e kodrës.
Qyteti bregdetar ka një shëtitore plot jetë – sidomos gjatë natës – dhe një plazh të bukur urban, i cili si shumica e atyre që ndodhen në Rivierën Shqiptare, është me guralecë dhe ofron një pamje të detit me ujëra të kristalta.
Përveçse është porta për në Shqipërinë e Jugut, Saranda është një pikë e mirë strategjike për të fjetur disa netë dhe për të vizituar destinacione turistike si Butrinti apo Ksamili dhe për të marrë me qira një makinë për të shijuar udhëtimin në bregdet.
BUTRINTI PËRMES HISTORISË
Njezetë kilometrat e rrugës që ndajnë Sarandën nga Parku Kombëtar i Butrintit mund të përshkohen për 40 minuta.
Ndërsa zbrisni drejt zonës arkeologjike të Butrintit, i vendosur në një lloj ishulli të lagur nga deti Jon, pamjet janë spektakolare.
Peizazhi përbëhet nga një sërë qytetesh të vogla dhe tokash me bimësi, ku është e zakonshme të shohësh zogj të shumtë uji, lopë që kullosin ose kuaj të egër.
Për të hyrë në Butrint, që ndodhet në bregun tjetër, duhet të hipni në një platformë druri lundruese, e cila lëviz përmes një sistemi rrotullues rudimentar.
Më parë, ju mund të vizitoni kështjellën veneciane në formën e një fortese trekëndore, e cila u ndërtua në shekullin e XV për të mbrojtur qytetin e vogël.
Me një sipërfaqe prej më shumë se 200 hektarësh, parku arkeologjik ruan mbetje nga e kaluara greke, romake, bizantine, veneciane dhe osmane.
Rrënojat më të vjetra datojnë në epokën e bronzit, por qyteti si vendbanim i përhershëm u ndërtua nga grekët në shekullin e VIII para Krishtit.
Ky muze mbresëlënës në ajër të hapur u zbulua në vitin 1920 nga arkeologët italianë dhe që nga viti 1992 është një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
KSAMILI, I NGJASHËM ME KARAIBET
Dhjetë minuta me makinë nga Butrinti, duke ndjekur rrugën SH81 pa kaluar sërish në bregun tjetër, arrini në Ksamil, një qytet i ndërtuar në vitet gjashtëdhjetë në një vijë të vogël bregdetare që përballet me tre ishuj që mund të arrihen edhe duke notuar.
Kjo pjesë e bregdetit ku ndodhet Ksamili, e cila aksesohet edhe nga Saranda – është destinacioni më i pëlqyer i plazhit mes shqiptarëve dhe turistëve të huaj, të tërhequr nga ujërat e kaltër kristal të ngjashme me atë të detit të Karaibeve.
Plazhet e saj janë me rërë të bardhë, ndryshe nga pjesa më e madhe e bregdetit të Jonit të Shqipërisë, dhe ofrojnë perëndime unike të diellit.
BORSHI: GJASHTË KILOMETRA PLAZH TË EGËR
Për të shijuar Rivierën Shqiptare në të gjithë shkëlqimin e saj duhet të udhëtoni drejt Borshit, pak më shumë se një orë me makinë nga Saranda.
Nëse arrini në këtë qytet gjatë mbrëmjes, do të magjepseni nga perëndimi i diellit.
Kjo rrugë ka një shtrirje prej më shumë se 100 kilometra përgjatë bregut të Jonit midis shkëmbinjve, maleve të larta dhe pamjeve të pabesueshme të detit blu deri në portin e Parkut Kombëtar të Llogarasë, një pikë gjeografike që shënon ndarjen me bregdetin e Adriatikut.
Plazhi i Borshit është më i gjati në të gjithë Rivierën, me gjatësi prej gjashtë kilometrash.
Është me guralecë dhe nuk është e nevojshme të marrësh me qira një shezlong dhe një çadër siç ndodh në pjesë të tjera të bregdetit.
Plazhi mbetet ideal për të kaluar një ose dy ditë në plazh, pa zhurmën e natës, hoteleve dhe ndërtesave në qytete të tjera.
Plazhi i Borshit ka një shëtitore ku ndodhen disa restorante ngjitur me plazhin dhe që shërbejnë ushqime tradicionale të zonës si, oktapod i pjekur në skarë, midhje, kallamar apo makarona me (frutti di mare) – ndikimi italian është shumë i pranishëm edhe në gastronominë shqiptare.
PORTO PALERMO
Duke vazhduar në veri, rruga ju lejon të lini makinën në disa këndvështrime për të soditur bregdetin nga lart. Pamjet janë mahnitëse.
Pak më tutje mund të shihni disa bunkerë betoni të vendosur në pjesën e shpatit të malit me pamje nga deti.
Diktatori komunist që drejtoi fatin e Shqipërisë për 40 vjet, Enver Hoxha, urdhëroi ndërtimin e afro 175 000 bunkerëve në të gjithë territorin nga frika se mos pësonte një sulm apo pushtim të huaj.
Vetëm pak minuta larg ndodhet gjiri i Porto Palermos.
Në një ishull të bashkuar me bregdetin me një rrip të ngushtë toke, ndodhet kështjella e Ali Pashës, një guvernator i Perandorisë Osmane në Ballkan, i cili kishte pushtet të madh në këtë zonë gjatë shekullit të XIX.
Kjo kështjellë, origjina e së cilës i atribuohet venecianëve, mund të vizitohet gjatë ditës.
Gjithashtu, bie në sy zona e nëndheshme, e cila në kohën e pushtimit italian ka shërbyer si burg dhe pjesa e sipërme e jashtme ku janë kullat, duke ofruar një pamje mahnitëse të të gjithë gjirit.
PLAZHI I GJIPESË
Vetëm disa kilometra nga Porto Palermo në drejtim të qytetit të Dhërmiut, i cili është rreth 40 minuta larg, mund të shihni një bunker nëndetësesh në shpatin e poshtëm të një prej maleve.
Ai u ndërtua në kohën e qeverisë së Enver Hoxhës dhe nuk është i lehtë për t’u aksesuar nga rruga, sepse është në një zonë ushtarake me akses të kufizuar.
Dhërmiu është gjithashtu një pikë interesi për shumë turistëm i cili ofron një plazh mahnitës, një nga xhevahiret në kurorën e Rivierës Shqiptare është plazhi i Gjipesë.
Në Plazhin e Gjipesë mund të merrni frymë dhe të shijoni paqen në një mjedis të egër natyror.
Ka disa bare plazhi dhe disa turistë vendosin tenda për të fjetur dhe për të shijuar perëndimet dhe lindjet e bukura të diellit./ata