Në Krahës të bashkisë Memaliaj u përurua fabrika “Ullishtari”, për përpunimin dhe prodhimin e vajit të ullirit dhe 9 nënprodukteve të tij.

Në përurimin e fabrikës ishin të pranishme edhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, njëherësh drejtuese politike e Partisë Socialiste e qarkut të Gjirokastrës.

Kjo fabrikë vjen si simbol i inovacionit, vizionit dhe përkushtimit për të sjellë në treg produkte të cilësisë së lartë nga Marsel Dule, që ka zgjedhur ta kthejë kokën pas në vendlindjen e tij, për të investuar në burimet e zonës.

Ministrja Kumbaro në fjalën e saj tha se “kjo fabrikë është jo vetëm një investim, por është tradita, filozofia e jetesës dhe mundi i një familjeje përkthyer në një fabrikë moderne të vajit të ullirit, me një cilësi të jashtëzakonshme, krenari e produktit tonë vendas që meriton mbështetjen e të gjithëve ne për vlerat dhe zhvillimin që i jep gjithë zonës”.

“Është kënaqësi shumë e madhe që ndodhem në një ditë shumë të rëndësishme, që nderon jo thjesht Memaliajn, por nderon Vjosën. Besoj që është modeli më i mirë kur shikon si bashkohet tradita e një agronomi të vjetër që ka ditur t’u japë djemve pasionin për tokën, frutikulturën për ullirin, që është bimë simbol i qasjes e bashkëpunimit”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “nuk mjafton vetëm një fabrikë vaji, nuk mjafton vetëm ta promovojmë. Këtu njerëzit nuk duhet të vijnë vetëm për të blerë, por të vijnë e të rrijnë, të konsumojnë, të kthehen në klientë që shkon përtej një ore, një fundjave. Prandaj këtu duhet një agroturizëm”.

Ministrja Denaj tha se “ju përgëzoj për hapjen e fabrikës, pasi duket që është një investim shumë cilësor. Ne synojmë cilësinë ashtu si e keni shkruar edhe ju aty dhe kështu të edukojmë të gjithë fermerët e zonës për ti adresuar drejt një prodhimi cilësor dhe drejt këtyre pikave të cilat duhet ta përpunojnë ullirin”.

Shqipëria po zgjeron sipërfaqet e mbjella me ullinj, ndërsa prodhimi i vajit të ullirit “Made in Albania” po njeh rritje nga viti në vit./ata