Lëvizja Hezbollah njoftoi se ka kryer sulme me mjete ajrore pa pilot kamikazë (UAV) kundër bazës dhe sistemit të mbrojtjes ajrore "Iron Dome" në veri të Izraelit.

Hezbollahu ka bërë një deklaratë në lidhje me sulmet që ka kryer kundër objektivave ushtarake në rajonin kufitar që i përkasin ushtrisë izraelite.

Në deklaratë thuhet se sulmet janë kryer me dronë kamikazë kundër një ndërtese në vendbanimin Yiftah, ku ndodhen ushtarët izraelitë dhe kundër sistemit të mbrojtjes ajrore "Iron Dome" që ndodhet në vendbanimin Ramot Naftali.

Thuhet se nga sulmi në Yiftah ka të vdekur dhe të plagosur në mesin e ushtarëve izraelitë dhe si pasojë e sulmit në Ramot Naftali ka rënë zjarr.

Në një deklaratë tjetër, Hezbollahu deklaroi se ushtarët e vendosur në bazën ushtarake izraelite Er-Rahib dhe pajisjet e inteligjencës ushtarake në bazën ushtarake Smaki ishin shënjestruar me armët e duhura.

- Deklaratë nga ushtria izraelite

Në deklaratën e ushtrisë izraelite lidhur me sulmet në fjalë, thuhet se sistemi i mbrojtjes ajrore është aktivizuar kundër depërtimit të dronëve që vinin nga Libani. Nga rënia e dronëve në Yiftah shpërtheu zjarri ndërsa dronët e tjerë ranë në një zonë të hapur dhe nuk ka patur dëme.

Në përleshjet midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut që kanë vazhduar që nga 8 tetori 2023, janë vrarë 288 anëtarë të Hezbollahut, 60 civilë libanezë, 18 nga Lëvizja Amal, 13 nga Hamasi, 12 anëtarë të Xhihadit Islamik, 13 ushtarë izraelitë dhe 9 civilë izraelitë./aa