Në Prishtinë është mbajtur edicioni i 10-të jubilar i Konferencës Ndërkombëtare "IA – Siguria kibernetike dhe siguria rrugore".

Në këtë konferencë u diskutua rreth ndikimit që ka Inteligjenca Artificiale (AI), si potencial i rëndësishëm në rritjen e sigurisë rrugore gjithashtu edhe Iniciativa për sigurinë rrugore dhe mobilitetin që synon të rrisë sigurinë në rrugë duke përdorur teknologjitë inovative me qëllim të plotësimit të planeve të veprimit të Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për përmirësimin e sigurisë rrugore globale.

Pjesëmarrësit vendorë dhe ndërkombëtarë të pranishëm në këtë diskutim thanë se sektori i transportit dhe logjistikës është një sektor shumë i rëndësishëm dhe se nuk po i jepet rëndësi sa duhet.

Profesori Muhamet Krasniqi, organizator i kësaj ngjarje, tha se ardhja e platformave inteligjente të transportit paraqet sfida të reja për sigurinë kibernetike dhe duhet të integrohen në strukturën e strategjive kombëtare për transportin rrugor në Kosovë.

"Transporti i gjelbër, lëvizshmëria urbane kërkojnë qëndrueshmëri në veprime dhe masa konkrete duke pasur kujdes maksimal mjedisor në mënyrë që të rrisim sigurinë e lëvizjes së gjithë qytetarëve", theksoi Krasniqi.

Drejtori i Certifikimeve dhe Standardeve në Gjenevë të Zvicrës, Patrick Philipp, theksoi se çështja e përdorimit të automjeteve pa shofer po shihet si e ardhmja e transportit, por, një gjë e tillë kërkon rrethana më të përshtatshme.

"Ardhja deri tek përdorimi i plotë i automjeteve pa shofer do të kërkojë një stad të ri të inteligjencës artificiale dhe ky nivel i inteligjencës artificiale do të do të jetë pjesë e të dhënave të gjeneruara dhe çdo element i përfshirë në të do të duhet të kontribuojë në lehtësimin e transportit dhe lëvizshmërisë", theksoi Philipp.

Ai thotë se realiteti është tjetër dhe në rrugët e Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimorë ende ka fare pak vetura pa shofer.

Besart Krasniqi nga Oda Ekonomike e Kosovës tha se në Kosovë nuk ka asnjë trup apo qendër trajnuese e cila ofron profile apo kualifikime ndërkombëtare të cilat janë të nevojshme për sektorin e transportit dhe logjistikës.

Krasniqi tha se infrastruktura jo e përshtatshme, lëvizja e punëtorëve dhe komunikacioni i dendur janë disa nga sfidat e këtij sektori në Kosovë, përfshirë edhe çështjen e arsimimit.

"Momentalisht në Kosovë nuk kemi asnjë trup apo qendër trajnuese e cila ofron profilet apo kualifikimet ndërkombëtare të cilat janë të nevojshme për sektorin e transportit dhe logjistikës pa qenë të nevojshme dhe të kërkueshme nga autoritetet vendore dhe veçmas nga ato ndërkombëtare", tha Krasniqi./aa