Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se Rusia po e sulmon Kosovën me një sulm hibrid.

Kryediplomatja kosovare tha nëpërmjet rrjeteve sociale se sulmi hibrid i Rusisë ndaj Kosovës po ndodhë pasi Kosova njoftoi për ndihmën ushtarake që do t’ia dërgojë Ukrainës.

“Rusia po e sulmon Republikën e Kosovës me një sulm hibrid sot, pas njoftimit tonë për mbështetje në pajisje ushtarake për Ukrainën në mbrojtjen e saj të justifikuar kundër agresionit gjenocidal rus”, theksoi Gërvalla.

Ministrja shtoi se “e dimë nga gjenocidi i Serbisë kundër Kosovës se vetëm mjetet ushtarake e ndalin gjenocidin”.

Hakerët rusë kanë sulmuar faqet e institucioneve të Kosovës, të cilat gjatë ditës nuk kanë qenë në funksion. Sipas njoftimit nga qeveria, shënjestër e sulmeve kanë qenë faqja e Presidencës dhe ajo e Kryeministrisë./aa