Ministri i Punëve të Jashtme i Spanjës, Jose Manuel Albares, ka deklaruar se trupat spanjolle do të largohen nga Iraku kurdo që dëshiron qeveria në Bagdad.
Duke folur nga Bagdadi pas një takimi me homologun e tij irakian, Fuad Hussein, Jose Manuel Albares tha se Spanja është “gati të qëndrojë” me Irakun në misionet ushtarake kundër grupit terrorist DEASH dhe të mbështesë sovranitetin e Irakut për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Komentet e shefit të diplomacisë spanjolle erdhën disa ditë pasi qeveria irakiane i bëri thirrje SHBA-së të tërheq trupat e saj.
“Ne besojmë se justifikimet për koalicionin ndërkombëtar kanë përfunduar”, tha kryeministri irakian, Mohammed Shia Al Sudani, për "The Wall Street Journal".
Albares, i cili ndodhet në një turne në Lindjen e Mesme për të promovuar de-përshkallëzimin rajonal të konfliktit Izrael-Palestinë, tha se Spanja është “jashtëzakonisht e shqetësuar nga sulmet e vazhdueshme kundër bazave ushtarake ndërkombëtare”, duke theksuar se “sulmet kundër trupave të huaja duhet të ndalen”.
Që nga mesi i tetorit të vitit 2023, sipas Pentagonit, forcat e koalicionit në Irak dhe Siri janë shënjestruar në më shumë se 150 sulme.
Albares gjithashtu theksoi se 88 vende mbështesin iniciativën e Spanjës për një konferencë të paqes për të “zbatuar një zgjidhje me dy shtete” midis Izraelit Palestinës.
“Ne kemi nevojë për një shtet palestinez”, tha Albares, duke e quajtur situatën humanitare në Gaza “të padurueshme” dhe duke kërkuar një armëpushim të menjëhershëm.
Ai shtoi se Iraku është një “aktor i vendosur” për paqen në rajon.
“Përvojat e kaluara të Irakut, fqinjësia dhe situata aktuale janë stimuj për të bërë thirrje për kontroll, për të ulur dhe de-përshkallëzuar tensionin”, tha ai.
Sot më vonë, Albares do të takohet me kryeministrin dhe presidentin irakian.
Në fund të muajit dhjetor, gjithashtu edhe kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, vizitoi Irakun së bashku me drejtuesit e biznesit spanjoll.
Dje, Albares u takua me kryeministrin libanez, Najib Mikati, si dhe vizitoi trupat spanjolle në Liban.
Atje, ai theksoi rolin e Bejrutit në parandalimin e përhapjes së konfliktit aktual, si dhe njoftoi se Libani është bërë një “prioritet” për bashkëpunimin ndërkombëtar të Spanjës dhe u zotua të rrisë ndihmën dypalëshe./aa