Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e djeshme me Grupin Parlamentar dhe Kabinetin Qeveritar foli edhe për raportin e mazhorancës dhe drejtësisë.
“Askush më parë, asnjë forcë me peshë në hapësirën e pushtetit politik qysh nga shkëputja e Shqipërisë nga Perandoria Otomane dhe ngritja e flamurit të pavarësisë së shtetit shqiptar në vitin 1912 nuk i ka hyrë detit në këmbë për ta pavarësuar drejtësinë nga vetë pushteti politik. Askush dhe asnjë!”, tha Rama.
Prandaj dhe asnjëherë, shtoi kryeministri, “askush që ka qenë pjesë përbërëse apo zgjatimi i pushtetit politik nuk është hetuar dhe gjykuar nga një drejtësi e pavarur siç po ndodh sot”.
Por, nënvizoi kreu i qeverisë, “të jemi të qartë, gjurma jonë në histori nuk do të varet vetëm nga kthesa e ndryshimit tërësor ku e kemi futur shtetin shqiptar, por do të varet nga sa më tej akoma, sot e më tutje ne, Partia Socialiste do ta bëjmë të pakthyeshëm këtë progres të dukshëm në sytë e të sotmes, por asesi të mjaftueshëm për sytë e të nesërmes”.
Rama theksoi se, “ka një të vërtetë të madhe në këtë mes. Një fakt shumë kuptimplotë. Pikërisht se e kemi me të vërtetë, jo me gjasme këtë luftë, ne nuk e kemi mbajtur lëkurën tonë larg zjarrit të saj. Jo vetëm i kemi hapur rrugë krijimit të një gryke zjarri të re, të cilën shteti shqiptar se ka pasur kurrë, Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale Kundër Korrupsionit, por edhe ia kemi hequr vetes tanimë me ndërgjegje, guxim dhe vullnet të pa gjendur ndonjëherë më parë çdo mundësi kontrolli politik të shënjestrave dhe të goditjeve të asaj gryke zjarri”.
Jo vetëm kaq, shtoi Rama, “por ne me forcën e shumicës sonë qeverisëse i kemi hapur rrugë dhe furnizimit special me municion të asaj gryke zjarri. I kemi vendosur drejtësisë në dispozicion, jo vetëm një Kushtetutë dhe një hapësirë ligjore të qepur enkas për këtë luftë. Kushtetuta e BE nuk ka trupa speciale, nuk ka trupa ndërkombëtare monitorimi siç ka në Kushtetutën tonë, por edhe një buxhet pagash që si askush në Evropë është mbi hierarkinë e pagave të të gjitha institucioneve të shtetit shqiptar”.
“Drejtuesit e organeve speciale të drejtësisë qëndrojnë në majë të piramidës të pagave të këtij shteti më lartë sesa maja më e lartë e hierarkisë shtetërore të çdo shteti, Presidenti i Republikës. Vetë fakti që sot prokurorët dhe gjykatësit janë individët më të paguar në të gjithë piramidën e shtetit tonë, përbën pa diskutim një anomali absolute, por ne e kemi krijuar këtë anomali me vetëdije të plotë dhe për asnjë arsye tjetër në botë përveç fuqizimit të përpjekjes antikorrupsion të shtetit shqiptar me një armë të re ofensive që Shqipëria nuk e kishte më parë”, tha Rama./ata