Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu përuroi së bashku me të Ngarkuarin me Punë të Ambasadë së SHBA-së, David Wisner, godinën e re të Qendrës Kombëtare Pritëse të Viktimave të Trafikimit, e cila që nga hapja e saj në vitin 2003 ka trajtuar dhe rehabilituar rreth 700 gra, vajza dhe fëmijë, viktima të trafikimit.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Koçiu theksoi se kjo është një qendër e rëndësishme sa i përket viktimave të trafikimit ose viktimave të mundshme të trafikimit.
Kjo qendër në mbi 20 vite ka trajtuar rreth 700 vajza të cilat kanë qenë pjesë e këtyre shqetësimeve.

Duke u ndalur tek tragjedia e Shkodrës, ku një nënë humbi jetën së bashku me fëmijët e saj, Koçiu nënvizoi se “këto ngjarje të rënda na bëjnë të mendojmë që duhet të jemi akoma më mbështetës ndaj grave dhe vajzave, e sidomos ndaj presionit që i krijohet grave e vajzave të cilat mund të vuajnë nga fenomene si dhuna fizike apo psikologjike, dhe që ndikojnë tek shëndeti i tyre, tek depresioni, që është një fenomen shpesh i pafolur që nuk vihet re, por që sjell pasoja të jashtëzakonshme në shoqëri, familje, por sidomos tek fëmijët”.

Koçiu vuri në dukje se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po vijon angazhimin e saj për zgjerimin e kapaciteteve për pritjen dhe rehabilitimin e viktimave të trafikimit duke ofruar shërbime të integruara psiko-social sipas standardeve evropiane.
Kjo qendër synon që viktimat e trafikimit, vajza dhe gra të marrin një profesion dhe të aftësohen për tregun e punës në mënyrë që të përballojnë një jetë dinjitoze pas rehabilitimit të tyre.

Ministrja shtoi se me ngritjen e qendrës së parë të mjekësisë familjare që do të hapet së shpejti, synohet edhe dyfishimi i numrit të punonjësve socialë dhe psikologëve, krahas profesionistëve të shëndetit mendor.

Ngjarjet e fundit tregojnë që shërbimet e integruara psiko-sociale janë një domosdoshmëri për çdo qytetar në nevojë duke adresuar problematikat e shëndetit mendor me ngritjen e 10 qendrave familjare ku psikologët dhe punonjësit socialë do të ofrojnë shërbimin e tyre.

Qendra u ndërtua me mbështetjen financiare prej afro 500,000 dollarësh nga ushtria e Shteteve të Bashkuara dhe do të ofrojë strehim të sigurt, shërbime psikologjike dhe integrim në shoqëri për viktimat e trafikimit.

Gjatë ceremonisë, Wisner nënvizoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara për partneritet me Shqipërinë në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë./ata