Shkolla artistike “Onufri” në Elbasan së shpejti do të hapë dyert me kushte më të mira për 340 nxënësit e saj.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo shkollë e rindërtuar me financim të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me bashkinë e Elbasanit.

“Shkolla “Onufri” në Elbasan rilindur, për t’u kthyer së shpejti në një qendër të vërtetë artistike, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Elbasanit. Shkolla “Onufri” tani me standarde europiane, e zgjeruar me klasa të reja, laboratorë shkencorë, palestër dhe sallë koncertesh për 340 nxënës artistë”, theksoi Rama.

Në shkollën e mesme artistike “Onufri” në Elbasan janë krijuar kushte shumë të mira për të gjithë profilet që shkolla artistike ofron me laboratorë dhe ambiente të veçanta.

Kjo shkollë do të ketë një shtesë 4 kate, klasa dhe laboratorë të dedikuar për çdo profil artistik dhe sallë koncertesh që do t’u shërbejnë 340 nxënësve me drejtimin artistik të muzikës, skulpturës dhe pikturës./ata