Llixhat e Treganit në Elbasan janë të famshme në të gjithë Shqipërinë e më tej, për vlerat kurative që mbartin.

Në ceremoninë e hapjes së sezonit kurativ në Tregan, për herë të parë bashkia e Elbasanit ka promovuar edhe panairin e turizmit kurativ në këtë zonë, ku banorët e zonës kanë prezantuar punimet e tyre artizanale.

Me qëllim kthimin në traditë të kësaj dite, kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja ka marrë pjesë në çeljen e sezonit, si edhe të panairit të parë në këtë zonë.

Në fjalën e tij, Llatja shprehu bindjen se edhe këtë sezon pritet të ketë një rritje të shtuar të turistëve dhe pushuesve.

“Jemi në kulmin e sezonit dhe presim të kemi një sezon të shtuar këtë vit, gjatë muajit maj dhe fillimit të qershorit, për t’u kthyer më pas fuqishëm në shtator- dhjetor, si sezonet tradicionale të turizmit kurativ në zonën e Treganit. Ky është panairi i parë që ne promovojmë traditën, kulturën, por edhe bizneset e zonës së Treganit. Ka pasur një rritje të turistëve vitet e fundit, si edhe rritje të kapaciteteve të hoteleve në Tregan”, theksoi Llatja.

Duke e vënë theksin edhe një herë tek asetet kulturore, ato të trashëgimisë, arkeologjisë etj, kreu i bashkisë ftoi të gjithë turistët që të njihen më nga afër me atraksionet turistike në Elbasan, duke filluar me Treganin, Gjinarin, Funarin por edhe qytetin e Elbasanit, jo vetëm me sitet e saj kulturore e arkeologjike, por edhe kulinarinë si edhe turizmin që ofron qyteti.

Në Llixha trajtohen sëmundje të shumta të reumatizmës, rrugëve të frymëmarrjes, tensionit, të lëkurës etj. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera kozmetike gjithashtu.
Pranvera dhe vera është pikërisht koha kur nis frekuentimi masiv i këtyre llixhave. Ato frekuentohen nga mijëra pacientë, por edhe turistë./ata