Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë kanë dhuruar sot gjak në ambientet e Kryesisë së Kuvendit duke iu përgjigjur fushatës së MSHMS-së dhe Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.

“Me moton “Dhurojmë gjak, shpëtojmë jetë, mbrojmë shëndetin!”, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, deputetët dhe punonjësit e administratës së Kuvendit të Shqipërisë dhuruan sot gjak, si një kontribut për mbrojtjen e shëndetit dhe shpëtimin e jetëve të pacientëve”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka falënderuar Kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe deputetët që iu bashkuan zinxhirit të dhuruesve vullnetarë të gjakut në kuadër të Ditës Botërore të Talasemisë.

“Politika është bashkuar sot duke dhuruar gjak për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve talasemikë”, shprehet Koçiu në një postim në rrjetet sociale krahas videos së publikuar gjatë dhurimit të gjakut nga deputetët.

“Faleminderit dhe mirënjohje Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla dhe deputetëve që iu bashkuan zinxhirit të dhuruesve vullnetarë të gjakut, ku edhe falë fushatës së MSHMS-së ky vit shënoi një ndërgjegjësim në rritje për dhurimin vullnetar të gjakut”, thekson ajo.

Ministrja Koçiu deklaron se gjatë 4 mujorit të parë të 2024 janë mbledhur rreth 70% më shumë dhurime vullnetare krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shumë institucione, por edhe studentë e pedagogë i janë bashkuar fushatës së MSHMS-së dhe Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut për dhurim vullnetar të gjakut./ata