Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj priti sot në një takim kryetarin e parlamentit të Saksonisë, Mathias Rößler si dhe presidentin e Fondacionit Konrad Adenauer, Thomaz Kunze.
Pas takimit, Gjekmarkaj u shpreh se, Gjermania ka qenë dhe mbetet një shtet që ka mbështetur e mbështet rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian.
Gjekmarkaj thekson se dr. Matthias Rößler është një personalitet i shquar i politikës gjermane, e mbi të gjitha një mik i vyer i Shqipërisë.
“Bashkëndamë të njëjtat pikëpamje mbi integrimin evropian të Shqipërisë si e vetmja rrugë”, nënvizoi Gjekmarkaj.
Gjekmarkaj falënderoi Rößler për gjithë mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në këto dekada tranzicioni dhe CDU/CSU në veçanti Partisë Demokratike.
Gjekmarkaj theksoi se vuri në dijeni Rößler për masën e arrestit të shtëpisë ndaj Sali Berishës si dhe për gjyqin për vulën dhe logon e PD.
“Opozita nuk duhet të shkojë në zgjedhje me gojën mbyllur, duart dhe këmbët e lidhura! Ne nuk kërkojmë nga ju t’i thoni gjykatës se çfarë vendimi të japë, por pas tre vitesh duhet të japë vendim. E vura në dijeni dr. Rößler për ndalimin në thyerje të nenit 73 të Kushtetutës të liderit së opozitës Sali Berisha duke e shndërruar këtë në arrest politik të papranueshëm në kushtet kur pretendohet një shtet i së drejtës! Kjo për të vënë opozitën në kushte pabarazie në vitin elektoral. Po kaq i bëra me dije sagën gjyqësore për vulën dhe simbolet e PD, fakte këto dramatike të një realiteti të pengmarrjes politike si ndihmë e drejtpërdrejtë për qeverinë e Edi Ramës”, theksoi Gjekmarkaj në një postim në rrjetet sociale.
“125 mijë dosje të pagjykuara që e çojnë deri në 25-Vjet, shqyrtimin e kërkesave të qytetarëve, korporativizmi në drejtësi dhe ndikimi politik mbi të, në raport me opozitën janë sot fakte që shtrojnë pikëpyetje të mëdha krahas korrupsionit, skandaleve dhe keqqeverisjes. Në kontekst, një vëmendje e shtuar e Gjermanisë mbi Shqipërinë mbetet e mirëpritur, i shërben forcimit të miqësisë, demokracisë shqiptare dhe integrimit në Evropë”, shtoi Gjekmarkaj./ata