Ministrat e Jashtëm të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin e tyre vjetor më 17 maj, në sfondin e 75-vjetorit të organizatës, ndërsa një ditë më herët, kur pritej votimi për anëtarësimin e Kosovës në KiE, ministrat e Jashtëm do të marrin pjesë në një ceremoni për 75-vjetorin e Këshillit të Evropës. Agjenda do të përfshijë masat që Këshilli i Evropës po vazhdon të marrë në përgjigje të agresionit të plotë të Federatës Ruse kundër Ukrainës, zbatimin e Deklaratës së Rejkjavikut miratuar në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive në 2023 dhe miratimin të një Konvente Kuadër për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e Ligjit. Në fund të takimit, Lihtenshtajni do t’i dorëzojë Lituanisë Presidencën e Komitetit të Ministrave. Ministrja e Lihtenshtajnit për Punët e Jashtme, Arsimin dhe Sportin, Dominique Hasler, do të bëjë vlerësimin e presidencës së saj. Kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Shimonyte, do të prezantojë prioritetet e Presidencës së vendit të saj.

Të premten më 17 maj, në ora 13:00 është caktuar një konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm të Lihtenshtajnit, kryeministrin e Lituanisë dhe sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Maria Pejçinoviq Buriq. Ndryshe, zëdhënësi i KiE Daniel Holtgen, deklaroi më 8 maj se çështja e Kosovës nuk është në agjendën e Këshillit të Ministrave javën e ardhshme dhe se për momentin nuk dihet se kur mund të jetë, duke mos dhënë më shumë hollësi. Kosova muajin e kaluar mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësim në këtë organizatë. Disa nga vendet perëndimore, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, e shndërruan në kusht për votën e tyre hedhjen e hapave konkretë nga Kosova për themelimin e asociacionit, në bazë të një projektstatuti të hartuar nga diplomatë perëndimorë që iu dorëzua palëve në tetor 2023, por që kryeministri Albin Kurti e cilësoi të papranueshëm një kushtëzim të tillë.

/KosovaPress/