“Në zbulim të thesareve të Shqipërisë” titullohet dokumentari i realizuar nga Bettany Hughes, që do të shfaqet premierë këtë të shtunë në kanalin televiziv britanik Channel 4.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, teksa ndau në rrjete sociale pasazhe të filmit dokumentar të përgatitur nga profesoresha britanike Bettany Hughes.

“Rrëfimin e radhës për thesaret e Shqipërisë, profesoresha britanike Bettany Hughes e përcjell nga një prej qyteteve më epike të Ilirisë, siç është Bylis”, shkroi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro njofton se këtë të shtunë, në datë 11 maj, në orën 19:00 do të transmetohet për miliona shikues të Channel 4, kjo anë e turizmit historik e arkeologjik që ofron Shqipëria, përmes një udhëtimi në trojet ilire.

Vitin e kaluar Hughes realizoi dokumentarin “Mrekullitë e Shqipërisë”, që u transmetua gjithashtu në kanalin Channel 4. Ajo solli bukuritë e Shqipërisë, që nga qytetet mahnitëse romake, tek arkeologjia e Mesjetës së Hershme, nga xhevahiret e qytetërimit osman, deri te bunkerët brutalë komunistë.

Ndërsa në muajin prill të këtij viti u shfaq premierë një tjetër dokumentar promovues për Shqipërinë turistike “Në zbulim të thesareve të Shqipërisë”, në të cilin profesoresha Bettany Hughes, erdhi si rrëfimtare e vendit tonë jo vetëm përmes peizazheve dhe të dukshmes, por duke i qëmtuar shpirtin, historinë dhe duke i prekur mikpritjen.

Shqipëria vitet e fundit po qëndron në fokus të medieve të huaja, për sa i takon eksplorimit të bukurive dhe potencialeve natyrore turistike, që ofron. Duke e cilësuar një nga perlat sekrete të Evropës që ia vlen të zbulohet jo vetëm për bregdetin, Shqipëria po tërheq vëmendjen e shumë vizitorëve nga vende të ndryshme të botës./ata