Autoritetet urdhëruan të mërkurën evakuimin e dhjetëra mijëra qytetarëve për shkak të zjarreve masive që kanë përfshirë shtetin juglindor të Australisë, Victoria, ndërsa erërat e nxehta dhe stuhia e mundshme kërcënojnë të përkeqësojnë rrezikun nga zjarri, raportojnë mediat lokale.
Rreth 30 mijë njerëz janë urdhëruar të evakuohen nga disa pjesë të Victorias para mesditës të së mërkurës, ndërsa zjarrfikësit po luftojnë me zjarret në mes të një prej kushteve më të këqija të zjarrit që vendi ka parë vitet e fundit, raporton televizioni australian ABC.
Kushtet e nxehta, të thata dhe me erë kanë krijuar "rreziqe ekstreme deri në katastrofike nga zjarri" në pjesë të Victorias dhe Australisë Jugore, tha Byroja Australiane e Meteorologjisë, e cila parashikon se temperaturat mund të shkojnë deri 45 gradë Celsius në disa pjesë të shtetit.
"Sot do të jetë një ditë shumë sfiduese për zjarrfikësit", tha për televizionin ABC, Jason Heffernan, shefi i Departamentit të Zjarrfikësve në Victoria. "Sot është një nga ato ditë kur komunitetet mund të kenë nevojë të ndërmarrin veprime të menjëhershme në një njoftim shumë të shkurtër", tha ai.
Qindra zjarrfikës po luftojnë me zjarret që shpërthyen të enjten e kaluar pranë qytetit Ballarat, 95 kilometra në perëndim të Melburnit dhe "ende nuk janë venë nën kontroll".
Zjarri deri më tani ka djegur gjashtë shtëpi, ka vrarë bagëtitë dhe ka djegur më shumë se 20 mijë hektarë./aa