Në një zhvillim të rëndësishëm, grupet palestineze u bënë thirrje njerëzve në Bregun Perëndimor, në Kuds dhe territoret e pushtuara të ngrihen në mbështetje të Gazës dhe të ndihmojnë në shpëtimin e qytetit Rafah nga një katastrofë humanitare dhe një luftë gjenocidi.

Në një deklaratë, grupet palestineze thanë: “Ne i bëjmë thirrje popullit tonë në Bregun Perëndimor, Kuds dhe territoret e pushtuara të nisin një kryengritje të ashpër në mbështetje të Gazës dhe të shpëtojnë Rafahun nga katastrofa humanitare dhe lufta e gjenocidit”.

Forcat izraelite që nga e hëna kanë vazhduar sulmet e tyre ushtarake në zonat lindore të qytetit Rafah, në jug të Rripit të Gazës, duke çuar në zhvendosjen e më shumë se 100 mijë palestinezëve nga këto zona në pjesën jugperëndimore të Rripit të Gazës.

Izraeli ka vrarë të paktën 34.900 palestinezë dhe ka plagosur 78.500 të tjerë në ofensivën brutale ndaj Rripit të Gazës pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023.

Mbi shtatë muaj të luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha, duke çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar tha se "besohet" se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, si dhe urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e tilla dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa