Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet që ushtria izraelite ka ndërmarrë nga 7 tetori i vitit 2023 në Rripin e Gazës është rritur në 34.943.
Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se në sulmet që ushtria izraelite ka kryer në 24 orët e fundit ndaj zonave të ndryshme të Gazës janë kryer gjashtë masakra, ndërsa janë vrarë 39 palestinezë dhe janë plagosur 58 të tjerë.
Në sulmet e Izraelit kundër Rripit të Gazës që nga 7 tetori e deri më tani janë plagosur 78.572 persona.
Gjithashtu në deklaratë thuhet se nën rrënoja dhe përreth rrugëve ende ka kufoma të të vrarëve dhe se ekipet shëndetësore dhe të Mbrojtjes Civile nuk kanë mundur të mbërrijnë tek trupat për shkak se pengohen nga forcat izraelite.
Ushtria izraelite filloi të martën pushtimin e zonës lindore të qytetit Rafah, duke sulmuar dhe pushtuar anën palestineze të kalimit kufitar me Egjiptin dhe duke mbyllur kështu të vetmen portë të Gazës me botën e jashtme.
Të hënën, ushtria izraelite lëshoi urdhra evakuimi për palestinezët në pjesën lindore të Rafahut, një lëvizje që shihet gjerësisht si një sulm që i paraprin sulmit të shumëpritur të Izraelit ndaj qytetit, ku janë strehuar rreth 1.5 milionë palestinezë të zhvendosur.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë brutale ndaj Rripit të Gazës pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor të vitit 2023, ku sipas autoriteteve izraelite u vranë 1.200 persona.
Mbi shtatë muaj të luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në gërmadha, duke çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së enklavës mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar tha se "besohet" se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, si dhe urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e tilla dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa