Raporti i kredive me probleme shënoi rënie në muajin mars të këtij viti.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues zbriti në 4,64%, nga 4,69% që kishte qenë për shkurtin dhe në mars të vitit të kaluar, ishte në nivelin 5,15%.

Kreditë me probleme po ndjekin një tendencë të vazhdueshme rënëse që prej vitit 2016 dhe ndodhen në nivelet më të ulët që prej vitit 2008.

Përmirësimi i cilësisë së kredisë për ekonominë po mbështetet nga cikli pozitiv që po ndjek ekonomia shqiptare me një rritje të lartë të sektorëve të pasurive të paluajtshme dhe shërbimeve të lidhur me turizmin. Por një ndikim të konsiderueshëm pozitiv vlerësohet se ka dhënë forcimi i lekut në kursin e këmbimit.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se, ulja e raportit të kredive me probleme po ndikohet edhe nga ecuria e mirë e kreditimit të ekonomisë dhe zmadhimi me ritme të përshpejtuara i portofolit të kredisë për ekonominë.

Në fund të muajit mars, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 763,2 miliardë lekëve, me një rritje prej më shumë se 13 miliardë lekësh krahasuar me shkurtin./ata