Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Grant Van Cleve në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News u shpreh se, Shqipëria ka parë një boom të rritjes ekonomike dhe se situata ka ndryshuar prej shumë vitesh.
“Ka pasur shumë ndryshime në infrastrukturë. Më profesionistë në vendin e punës. Mundësi që të ndjekin projekte deri në fund, pra ka pasur ndryshime serioze. Edhe nga 2010 janë bërë shumë ndryshime që shihen nga të gjithë”, tha ai.
Megjithatë ai shtoi se, ka ende shumë punë për të bërë, ndërsa shtoi se Shqipëria është partnere strategjike e SHBA.
“Ka një ndryshim edhe në drejtësi. Unë them që indeksi duhet të jetë më lart, pavarësisht ndryshimeve për mirë. Reformat e ndërmarra nga qeveria kanë përmirësuar investimet, por ne presim më shumë ndryshim”, shtoi ai.
Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Van Cleve u shpreh se, Shqipëria është një vend që ka shumë avantazhe, sa i përket klimes së biznesit.
Ai vuri theksin edhe tek zhvillimi i teknologjisë, duke e konsideruar si një fushë të rëndësishme dhe një mundësi edhe për të rinjtë.
Klima e biznesit në Shqipëri, tha ai, “është më e mira në rajon”.
“Shqipëria ka shumë avantazhe, duke nisur nga klima, gjuha, gjallëria që ka këtu. Unë mendoj që amerikanët mund të vijnë të banojnë këtu, pse jo edhe gjermanët. Shqipëria është një vend ku ka jetë. Këtu po punohet për të përmirësuar jetën. Fusha teknologjike është shumë e rëndësishme. Programimet po ashtu janë me rëndësi”, u shpreh ai.
Gjatë kësaj interviste Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë foli edhe për sfidat e të bërit biznes në Shqipëri. Ai u shpreh se faktorët kryesorë janë të favorshëm dhe se në këtë drejtim po bëhen hapa të duhur.
“Ka një perceptim se ka shumë risk, por në realitet nuk ka aq sa mendohet. Ky është një vend i vogël dhe ka shumë mundësi që gjërat të zgjidhen. Megjithatë mund të them se ka probleme që pengojnë. Por mendoj që nëse flasim apo punojmë, gjërat mund të zgjidhen. Ne kemi kërkuar dialog dhe jo vetëm të shpallim një ligj, por duhet të bashkëbisedojmë. Dhe gjërat kanë lëvizur në këtë drejtim. Janë bërë takime, pra është hapur edhe një ‘shtëpi e biznesit’ në krah të Kryeministrisë. Edhe vetë kryeministri është shprehur se mirë është të ulemi dhe të trajtojmë problemet reale”, tha ai./ata