Në konferencën Kombëtare për Sigurinë Kibernetike organizuar sot nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Biznesin, Delina Ibrahimaj nënvizoi rëndësinë që duhet të ketë biznesi privat për investimin në sigurinë kibernetike.

Gjatë fjalës së saj në konferencë, Ibrahimaj tha se “qeveria shqiptare po përshtat legjislacionin e duhur me qëllim që të kemi mbrojtjen e duhur ndaj sulmeve dhe sfidave që mund të vijnë nga zhvillimet e teknologjisë”.

Ministrja theksoi se “kemi bërë një punë të mirë në mbështetjen e këtyre bizneseve dhe duhet të punojmë akoma më shumë për edukimin e biznesit privat me qëllim që të investojnë në sigurinë kibernetike. Të gjithë proceset që qeveria shqiptare po ndërmerr, por edhe proceset që ekonomia në mënyrë natyrale po zhvillon, lidhen me teknologjinë e informacionit”.

Por sipas ministres, “në fund të ditës, i gjithë legjislacioni duhet të adaptohet dhe zbatohet edhe nga bizneset. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të ketë një interlokutor, një lidhje dhe një kategori biznesesh që të merren me këtë ndërmjetësim, qoftë me edukimin e bizneseve dhe qoftë me zbatimin e politikave në mënyrë të drejtë në mënyrë që biznesi shqiptarë të zhvillohet me hapa të shpejtë dhe të sigurt”.

Ibrahimaj shtoi se “nëpërmjet Agjencisë Startup Albania, gjatë këtij viti kemi çelur një fond me qëllim nxitjen e ‘Startup’-eve dhe më shumë se 1/3 e këtij fondi i është dedikuar fushës së teknologjisë së Informacionit, dhe janë 4 subjekte kibernetike të cilat janë financuar për zhvillimin e Startup-eve të tyre”.

Ministrja theksoi më tej se këta subjekte “kanë një mision të rëndësishëm që nuk vjen vetëm në drejtim të produktit dhe shërbimit që ata ofrojnë, për t’i ofruar ndërmarrjeve shqiptare zgjidhje dhe për parandalimin e sulmeve, por edhe për menaxhimin e sigurisë kibernetike në tërësi”.

“Misioni i tyre nuk limitohet vetëm këtu. Misioni i tyre është i rëndësishëm edhe në nivel edukimi të subjekteve, për nevojën që subjektet kanë për investime në sistemet kibernetike me qëllim ruajtjen e biznesit të tyre dhe fuqizimin e biznesit të tyre”, deklaroi ministrja Ibrahimaj./ata