qipëria zuri vendin e parë në konkurrimin e Global CyberDrill, që vlerësohet si ngjarja më e madhe vjetore e që bën bashkë përfaqësues të komunitetit të ekspertëve nga e gjithë bota në një lajtmotiv të vetëm: Menaxhimin e shpejtë dhe adresimin efikas ndaj kërcënimeve kibernetike.

Ekipi kuqezi u përfaqësua nga Franc Zylyftari, pjesë e Drejtorisë së Sigurisë e-Gov, pranë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe Adriano Lleshi dhe Ilir Daka, nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike.

Global CyberDrill është një event unik që bashkon Autoritetet dhe Agjencitë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike nga e gjithë bota dhe shërben për të vlerësuar performancën e secilit ekip kombëtar në nivel global, si dhe për të nxitur ndërveprimin dhe partneritetit e njëzëshëm në menaxhimin e kërcënimeve kibernetike.

Gara u zhvillua mes 108 shteteve pjesëmarrëse, ku u simuluan skenarë realë të sulmeve kibernetike për të testuar ekipet kombëtare duke vlerësuar performancën e tyre në bazë të shpejtësisë dhe reagimit ndaj kërcënimeve kibernetike.

Në Episodin 16-të të Sezonit të 3, i PodKastit FLASIM, Kryeministri Edi Rama kishte të ftuar “Skuadrën e parë në botë 2024″, Franc Zylyftari, Adriano Lleshi dhe Ilir Daka.

Rama u shpreh se “lufta kibernetike është një kryqëzim në hapësirën e internetit, në hapësirën virtuale në të cilën e gjithë bota është e ndërlidhur me të gjitha rrugët, autostradat dhe ku shtete dhe forcat e ndryshme brenda shteteve dhe grupet e terrorit kibernetik janë gjithnjë e më aktive”.

“Shqipëria u godit në një moment që e mban mend të gjithë nga një shtet i fuqishëm në këtë luftë dhe më duket me rëndësi që sot të ndajmë disa nga të vërteta të thënat dhe të pathënat e kësaj lufte me 3 protagonistë në frontin tonë të luftës”, shtoi Rama në nisje të bashkëbisedimit me tre fituesit e garës Global CyberDrill.

“Kur pamë Shqipërinë që ishte në krye, ti shikon te vetja çfarë mundtë bëjmë më tepër. Filluam dhe kërkuam brenda vetes se çfarë kemi hequr gjatë asaj kohës që patëm sulmin, si e kemi zgjidhur, çfarë ka ndodhur. Duke gjetur pikat kyçe sesi e zgjidhëm këto ne arritëm të zgjidhnim edhe ushtrime të tjera në vazhdimësi. Kur pamë që ishim në vend të parë ishte efekti i të gjithëve, jo për të menduar se ishin të paaftë, por duke ardhur disa prej tyre duke na përshëndetur duke na uruar për fitoren dhe duke parqe që kërkonin ndihmë dhe duke kërkuar ndihmë, nuk është se ishte inferior, por janë disa situata që nuk i ka hasur ndonjë herë”, u shpreh Ilirian Daka.

Gjatë kësaj gare, theks i veçantë iu vendos rolit të rëndësishëm që kanë qendrat kombëtare të sigurisë dhe ekipet e reagimit ndaj emergjencave kompjuterike, si dhe rritjes së qëndrueshmërisë kibernetike dhe mbrojtjes së infrastrukturës kritike të informacionit.

Duke folur për këtë arritje, Franc Zylyftari tha se me këtë fitore treguan se kanë marrë njohuritë e duhura dhe zotërojnë eksperiencën për të reaguar ndaj sulmeve kibernetike.

“Impakti që u listuam të parët tregoi se kemi marrë njohurinë e duhur dhe zotërojmë eksperiencën e duhur. Ishte dinamike. Gjykoj se nuk ka kënaqësi më të madhe se të përballesh me kërcënimet e jashtme që duan ti bëjnë dëm shtetit shqiptar”, tha ai.

Zylyftari shtoi se “trajtimet financiare dhe kushtet e punës në sektorin tonë janë rritur jashtëzakonisht shumë dhe faleminderit qeverisë për investimin në këtë drejtim. Mendoj se kontributi ndaj shtetit shqiptar, dhe ky është një mesazh edhe ndaj të rinjve të tjerë të cilët duhet të japin kontributin e tyre kur kjo sferë është shumë e madhe dhe në zhvillim dhe të na bashkohet se jo vetëm ideali, por edhe trajtimi është shumë i mirë”.

“Mundësitë mund të jenë të jashtëzakonshme në të gjitha aspektet, por personalisht gjykoj që nuk ka kënaqësi më të madhe se sa ti të adresosh dhe të përballesh me gjitha kërcënimet e jashtë që duan t’i bëjnë dëm shtetit shqiptar. Për mua kjo arsye prevalon mbi të gjitha arsyet e tjera”, deklaroi ai.

Adriano Lleshi deklaroi se pasioni për sigurinë kibernetike e shtyu të bëhej pjesë e AKCESK. “Duke mbaruar dhe shkollën për Teknologji Informacioni, në mbyllje të masterit aplikova për pjesën e programit të praktikave. Fitova kontratë 1-vjeçar e pranë AKCESK dhe aty u rrita profesionalisht dhe kjo më bëri të mundur qasjen e idealeve që kam se si mund ta ruajmë autoritetin tonë dhe është një adrenalinë e madhe duke parë dhe dinamikën që kemi sepse ne nuk e dimë se me çfarë aktorë ndeshmi”, tha ai.

Bashkë me përmirësimin e performancës së sistemeve elektronike, shërbimeve publike elektronike dhe zhvillimin rrënjësor të shtetit digjital, Shqipëria ka drejtuar ndjeshëm vitet e fundit vëmendjen ndaj forcimit të masave dhe rritjes së nivelit të gatishmërisë ndaj kërcënimit të vazhdueshëm kibernetik.

Aktualisht, strukturat mbrojtëse vlerësohen të një standardi të lartë për t’i përballuar në kohë rreziqet eminente, ndërsa pozicionimi në vend të parë Global CyberDrill është një tregues i qartë për kapacitetet e profesionistëve që aderojnë pranë institucioneve më të rëndësishme për Teknologjinë dhe Mbrojtjen Kibernetike në Shqipëri.

Kryeministri Rama tha se “ne kemi bërë përpjekje, por them se kemi sjell AKCESK dhe AKSH në nivelin e tregut. Do t’i bëjmë subjektet më të dëshiruara në treg sepse është e vetmja mënyrë që të kemi aty talentet më të mira të kemi njerëzit më të motivuar dhe të kemi forcën më efektive në llogore dhe kjo realisht është një luftë e jashtëzakonshme dhe shumë stresuese”.

Franc Zylyftari i cili ka qenë pjesë e ngushtë e hetimit të kryer për sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë, theksoi se sulmi ishte me mision shkatërrues dhe se synonte të paralizonte jetën e qytetarëve shqiptar.

“Më duhet të pranoj se ishte eksperiencë e jashtëzakonshme nisur nga fakti se edhe hetimet e ekipeve të partnerëve tanë ndërkombëtarë të cilët janë ndër më kualitativët në botë, konstatuan se në fund dëmi që aktorët donin të tentonin dhe të arrinin nuk doli me sukses dhe ishte një copëz e vogël në krahasim se me çfarë do donin të arrinin dhe kjo falë bashkëpunimit të ekipit tonë dhe ekipit të tyre,  ku aleati ynë kryesor ishin SHBA. Ishte një sulm shkatërrues i cili kishte një qëllim final për të fshirë të gjithë sistemet dhe infrastrukturat qeveritare. Arritëm të menaxhonim dhe të reagonim në një kohë mjaft të shpejtë”, deklaroi eksperti Zylyftari./ata