Kryeministri Edi Rama përshëndeti sot vendimin e Këshillit Bashkiak të Himarës për komandimin e Blerina Balës në krye të bashkisë.
“Zgjedhja e sotme nga Këshilli Bashkiak të Himarës, me 15 vota pro dhe vetëm 4 kundër, e nënkryetares së bashkisë, Blerina Bala, si kryetare në detyrë është një zhvillim pozitiv për vazhdimin e punës së qeverisë vendore”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.
“Përpjekja e dështuar e një grushti individësh të nxitur për ta penguar këtë zhvillim të bazuar në detyrimin përkatës ligjor të Këshillit Bashkiak, tregoi qartë faktin e thjeshtë se shumica e madhe e himariotëve nuk i përkasin llogores së konfliktit, përçarjes dhe amplifikimit absurd të një sherri primitiv, i cili ushqehet për interesa dhe hesape që s’kanë asnjë lidhje me interesat e Himarës”, përfundoi Kryeministri.
Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Himarës, Blerina Bala u zgjodh sot me 15 vota pro dhe vetëm 4 kundër. Ky rezultat domethënës tregoi qartë shumicën legjitime të Këshillit Bashkiak.
Kryetarja e re e komanduar u zgjodh pasi dy kryetarët Fredi Beleri dhe Jorgo Goro ndodhen në burg, i pari i dënuar për krime zgjedhore dhe i dyti nën hetim nga SPAK.
Ndërkohë, për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme në Himarë pritet vendimi përfundimtar i Apelit të Posaçëm për Fredi Belerin./ata