Nënkryetarja e PD, Flutura Açka u shpreh sot në një reagim në rrjetet sociale se një prej burgjeve më famëkeqe të diktaturës shqiptare, si ai i Qafë Barit, është lënë në mjerim të plotë.
Në vizitën e zhvilluar në 22 maj në kuadër të 40-vjetorit të Revoltës së Qafë Barit, Açka shprehet se nuk pa asnjë koleg socialist.
“Dhe i marr të gjitha përgjigjet. Kaq më mjafton për të kuptuar përse dy ligjet e rëndësishme për Dekomunistizimin të dorëzuar nga Opozita, flenë në sirtaret e Parlamentit. Pse Muzeu Burgu i Spaçit do të ngrihet në Rreps! Pse Piramidës iu vunë gunga me ngjyra dhe iu ndërrua e gjithë hija e rëndë që kishte! Pse Vila e Enverit në vend që të kthehej në Muzeun e Krimit (pasi aty fillonte krimi komunist) po zhvishet nga historia e tij dhe po kthehet në shtëpi qejfi!”, reagoi Açka.
“Kjo qasje e butë ndaj diktaturës është një nga krimet më të mëdha ndaj shqiptare, thuajse të ngjashëm me origjinalin e tyre, pasi ndikimi është i njëjtë. Dhunë historike!”, vijoi ajo.
Mjaft të shohësh se si miniera e Spaçit i fshiu të gjitha shenjat dhe gjurmet e terrorit në Spaç. Mjaft të shohësh se si miniera e Bakrit në Qafë Bar po i fshin të gjitha gjurmët e burgut të tmerrshëm të tij.
“Dhe për habi të të gjtihëve: Më 22 maj miniera nuk punonte, e kishte bërë pushim, mbase për nder të ish-të përndjekurve që po mbërrinin të kujtonin se si ca shokëve të tyre iu shtyp koka në miniere, se si ca të tjerë u shqyen nga ujqit në male në rrugën në këmbë për në shtëpi, pasi pas lirimit u lanë të ktheheshin në këmbë, se si dy të vrarëve, Ndue Pisha dhe Ndrek Nikolla, pas dënimit për Revoltën e 22 majit 1984 ministri i brendshëm i kohës urdhëroi t’u hiqeshin sytë dhe të jepeshin për studime, se si vdiq Tom Ndoja në mes të sheshit tek rrihej, se si komandanti i burgut që organizoi shtypjen mizore të revoltës, Edmonda Caja, mori azil politik dhe bëri jetë perëndimore, edhe pse ua ktheu në ferr jetën ca shqiptarëve të tij”, u shpreh Açka.
“Historia do të mbetet përjetë në borxh ndaj viktimave të kësaj revolte po të vazhdojmë me këtë sjellje antinjerëzore”, tha Açka./ata