Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka marrë pjesë ditën e sotme në Kuvendin Zgjedhor të degës së PD Elbasan.
Në fjalën e tij, Basha komentoi turin e takimeve të kryeministrit me diasporën duke thënë se ishte ai që i largoi nga shtëpitë e tyre dhe sot po shkon të zhvillojë takime me ta.
Kreu i PD gjithashtu tha se Rama në takimin me 55 kryetarët e bashkive të partisë socialiste, u ka dhënë urdhër që të çojnë njerëz jashtë vendit për t’ia mbushur stadiumet ku do të bëjë takimet.
“Tani që ka zbrazur Shqipërinë, po shkon tek eksporti i tij, po shkon te diaspora. Po shkon atje ku i ka përzënë shqiptarët, atje ku vazhdon t’i përzë shqiptarët, për t’ju thënë çfarë? Që pas 4 palë zgjedhjesh premtime për votën e diasporës, se bën votën e diasporës. Aq më pak votën preferenciale apo siç njihet në popull listat e hapura, apo votimin elektronik, apo barazinë e votës. Pse? Sepse qëllimi nuk është të përmirësojë jetën e shqiptarëve. Kjo është më kriminalja nga të gjitha”, deklaroi Basha.
Basha përsëriti mbështetjen e pakushtëzuar të PD, ndaj SPAK dhe BKH.
Basha më tej u shpreh se demokratët janë e vetmja forcë politike, e qartë, e prerë, transparente, e vendosur në luftën kundër korrupsionit si domosdoshmëri për të ringjallur shpresën dhe besimin e shqiptarëve./ata