Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se, nuk e ka sulmuar asnjëherë SPAK-un.
I pyetur në një konferencë për shtyp lidhur me akuzat ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, Meta tha se, “nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar asnjë sulm nga Ilir Meta si President apo si kryetar i Partisë së Lirisë ndaj SPAK-ut, pavarësisht se e kam bërë të qartë si President publikisht dhe më pas dhe në mënyrë të vazhdueshme se zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm me 69 vota në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të votuar me 140 vota ishte një kapje flagrante e institucionit të Prokurorisë në të gjitha drejtimet, pra dhe SPAK, dhe prokuroria, dhe gjithçka tjetër, pasi në këtë mënyrë u kap KLP-ja përmes emërimeve që bëri e zgjedhura në mënyrë antikushtetuese Arta Marku në të gjitha nivelet e Prokurorisë, nëse nuk e mbani mend”.
“SPAK-u ka pasur të gjithë mbështetjen time si President për të bërë detyrën e tij dhe kurrë nuk e ka bërë detyrën e tij për ato pritshmëri që priteshin apo që kërkoheshin nga publiku, sepse SPAK-u është rezultat i një pjellje të sforcuar”, tha Meta.
Meta tha se, pensionistët janë viktima të një shpërndarje jo të drejtë të rritjes ekonomike, ndërsa shtoi se, rritja e pensioneve është një nga 5 prioritetet e PL.
“Propaganda e qeverisë nuk mund të vijojë të gënjejë qytetarët për rritje pagash e pensionesh. Shifrat e tregojnë qartë se ky është mashtrim. Qytetarët e pensionistët nuk janë përfitues të rritjes ekonomike, por viktima të një shpërndarje jo të barabartë të saj. Rritja e pensioneve, çështje themelore dhe një nga 5 prioritetet kryesore të Partisë së Lirisë për të ardhmen”, tha Meta.
Meta, foli edhe në lidhje me deklaratat e djeshme për dhënien fund të nepotizmit në PL.
I pyetur nëse një ndryshim i tillë statutor shënjestron Monika Kryemadhin, Meta tha se, i duhet dhënë fund përdorimit të lidhjeve familjare, qoftë edhe pa vetëdije.
“Kur flas për nepotizëm nuk i referohem një personi të caktuar, por zgjidhje statutore para të cilit jemi të gjithë të barabartë. Flasim për t’i dhënë fund keqpërdorimit të lidhjeve familjare qoftë kur e bëjnë në mënyrë të pavetëdijshme, por edhe përdorimi i lidhjeve nga persona të tjerë. Kur flasim për nepotizëm nuk flasim vetëm për PL, por edhe Lëvizjes Rinore, dhe jo vetëm për tani, por edhe në 100 vitet e ardhshme. Nepotizmi vret meritokracinë”, tha ai./ata