Sekretari për Çështjet Bujqësore në Partinë e Lirisë, Edmond Panariti u shpreh sot se “bujqësia po penalizohet nga një barrë tatimore fiskale, e panjohur jo vetëm në rajon, por dhe në Bashkimin Europian”.
Në një deklaratë për medie, Panariti reagoi mbi situatën e bujqësisë në vend, ndërsa theksoi se “prodhimi bujqësor dhe ai blegtoral po ngarkohet me një tatim mbi vlerën e shtuar, prej gati rreth 20 %, i cili tashmë nuk rimbursohet”.
Ndërkohë, ai informoi se Italia, TVSH-në për artikujt bazë e ka 4 %; BE-ja rreth 5 % dhe Serbia që është një vend i rajonit e ka 7%.
“Prodhimi bujqësor shqiptar del me kosto të lartë dhe e ka të pamundur të përballojë peshën shtypës të produkteve të importit. Pra, ajo që është shqetësuese, është se kemi një mbivendosje të raportit import-eksport”, tha ai.
Sipas tij, “70% e produkteve bujqësore dhe blegtorale, janë fatkeqësisht të importit.
Panariti u shpreh se “për herë të parë pas 3 dekadash bujqësia është drejt shkërmoqjes”.
“Buxheti për këtë vit ka 10% më pak se sa një vit më parë. Për herë të parë që nga vitet ’90, bujqësia nuk përfiton nga fondet e Bashkimit Europian. Kemi ndërprerje të programeve IPARD, që ka qenë një mbështetje kryesore për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë”, tha Panariti.
Panariti theksoi se nevojitet 5-fishim i buxhetit për bujqësinë dhe heqja e barrës fiskale diskriminuese nga TVSH 20 %, në TVSH 5%, ashtu siç është në vendet e rajonit dhe BE./ata