Kryeministri Edi Rama komentoi sot qëndrimet e opozitës në Greqi, që sipas tij janë të lidhura me luftën e brendshme politike.
Opozita greke e ka cilësuar si provokuese vizitën Ramës në Athinë.
Në takimin e mbajtur në Athinë, me shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi, Rama tha se qasjen dhe opinionet e sivëllezërve të majtë të opozitës greke, e kishte pasur të vështirë ta kuptonte, ndërsa theksoi se opozita në Shqipëri bën ekzakt të njëjtën gjë.
“Më është e pamundur të mos jua them se qasjen dhe opinionet e sivëllezërve tanë të majtë të opozitës greke, unë e kam pasur shumë të vështirë t’i kuptoj, përveçse si luftë të brendshme politike. Por nuk është as puna ime t’u jap atyre mend, edhe pse në fakt jemi në një familje politike europiane, dhe edhe mend mund t’i japim njëri-tjetrit, as e drejta ime të ndërhyj në punët e tyre, aq më tepër kur në Shqipëri kemi një opozitë që bën ekzakt të njëjtën gjë, sa herë merret me punët e jashtme të Shqipërisë, duke iu fryrë pa sukses burive të nacionalizmit elektoral”, deklaroi kryeministri.
Rama u shpreh se opozitën greke do ta ndihmonte në formimin e opinionit të saj një komunikim i drejtpërdrejtë me sivëllezërit e saj në Tiranë.
“Por thjesht do t’u thosha sot, shumë miqësisht, meqë jam në Athinë, e me siguri dëgjojnë, se kur kanë ndërmend të përmendin Shqipërinë dhe të komentojnë qëndrimet e qeverisë socialiste të Shqipërisë, me siguri do t’i ndihmonte në formimin e opinionit të tyre sa më korrekt edhe një komunikim i drejtpërdrejtë me sivëllezërit e tyre në Tiranë”, theksoi ai./ata