Teksa ka ndarë një foto krah dy artistëve, Noizyt dhe Era Rusit, kryeministri Edi Rama ka shprehur falenderimin për shqiptarët që e pritën në Athinë.
Të gjithë ata që ishin të pranishëm në Stadiumin Galatsi, Rama thekson se u bënë shëmbëlltyra e një zemre gjigante shqiptare, që rrahu anembanë vendit fqinj.
Kjo shëmbëlltyrë, shton ai, e ka shfaqur Shqipërinë me krenari dhe dëshirë e fortë për të hapur një kapitull të ri vëllazërimi, rendi europian e paqeje me prosperitet me Greqinë.
“FALEMINDERIT NGA ZEMRA. Para nisjes për Tiranë nga Athina, pas përjetimit në çdo qelizë të frymës së thellë të atdheut mes shqiptarëve të Greqisë dhe me ndjenjën më të hatashme të mirënjohjes, për të gjithë ata që u derdhën lumë drejt Stadiumit Galatsi, ku u bënë shembëlltyra e një zemre gjigande shqiptare, që rrahu anembanë vendit fqinj, duke e shfaqur sot Shqipërinë me të gjithë krenarinë legjitime të bijve e bijave të saj dhe me dëshirën e fortë për të hapur, sipas porosisë së Naimit tonë një kapitull të ri vëllazërimi, rendi europian e paqeje me prosperitet me Greqinë, ku realiteti i ri që ka krijuar afirmimi qytetar i shqiptarëve të Greqisë, si edhe realiteti i afirmuar i grekëve të Shqipërisë, na e ka vënë mu përpara syve ftesën e urtë për ta parë të shkuarën përmes të ardhmes, e jo më anasjelltas nëse duam, bashkarisht, që më në fund Shqipëria dhe Greqia të bëjnë për popujt e tyre, atë që popujt e tyre kanë bërë për njëri-tjetrin përgjatë historisë. UNË DUA, SHQIPTARËT DUAN”-thuhet në reagimin e Ramës./TopChannel