Kreu i PD-Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka përkujtuar Kryengritjen e Postribës e cila shënon 78 vjet nga ajo që u quajt edhe si lëvizja e parë antikomuniste në Europën e ndarë nga perdja e hekurt.

Në një postim në rrjetet sociale, Basha shkruan se “në këtë ditë historike, përkulemi me nderim dhe respekt përpara veprës guximtare të qindra patriotëve, intelektualëve, klerikëve të të gjitha besimeve, që ngritën krye ndaj regjimit diktatorial dhe gjakatar, që sapo ishte instaluar në Shqipëri”.

Ai më tej shkruan se shtypja e saj e përgjakshme mbetet një nga plagët më të dhimbshme në kujtesën tonë kombëtare, pasi gjymtoi elitën intelektuale dhe morale të Shqipërisë, dhe shkretoi familje të rëndësishme me kontribut të vyer patriotik si ajo e Jup Kazazit, Osman Haxhisë, Idriz Tahirit dhe Abdullah Sahitit, që i prinë revoltës kundër të keqes.

Sipas Bashës, detyrimi ndaj martirëve të Postribës dhe pasardhësve të tyre, Demokratët Euroatlantikë mbeten të angazhuar në shlyerjen e borxhit të madh moral e material ndaj shtresës së të përndjekurve, që me programin tonë do të gëzojnë të njëjtin vlerësim financiar që gëzon statusi i ish-ushtarakut./ata