Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot, se Shqipëria ka filluar të ndërtojë autostrada me parametra të BE-së asht siç i përket një vendi që ka nisur rrugën drejt integrimit në BE.
Balluku u përgjigj në Kuvend në interpelancën e thirrur nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike lidhur me investimin në rrugën Thumanë- Kashar.
“Korridori Blu që lidh Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë kalon përmes Shqipërisë dhe tashmë kemi segmentin e parë 21 km Thumanë – Kashar, që është ndërtuar sipas parametrave të kategorisë A dhe do të jetë një shembull për të gjitha autostradat në vazhdim. Ndërsa kemi mbyllur garat për ndërtimin e segmenteve të tjera të këtij korridori që janë Thumanë -Milot, Milot -Balldre dhe segmenet e jugut, Kashar – Lekaj nga Lekaj në Bypass e Fierit duke e përshkuar Shqipërinë nga jugu në veri me një korridor të kategorisë A”, tha Balluku.
Zv/kryeministrja bëri të ditur se aksi rrugor Thumanë- Kashar ka dy 2 nyje që janë pjesë e projektit dhe janë të ndërtura, konkretisht hyrja e Rinasit dhe ajo e Kasharit.
Sipas saj, ajo nyje që do t’i përkasë dhe do të zgjidhë përfundimisht problemin e Thumanës dhe Fushë Krujës është nyja e Thumanës që është pjesë e projektit që do të vazhdojë në ndërtimin e aksit Thumanë – Milot.
Balluku informoi se i ka takuar banorët e Thumanës lidhur me problemin që ata kanë hasur nga ndërtimi i autostratës Thumanë -Kashar.
“Ne i kemi dhënë zgjidhje provizore banorëve të Thumanës duke ndërtuar rrugën alternative”, deklaroi Balluku.
“Të gjitha rrugët me pagesë duhet të kenë rrugë alternative dhe sot Thumana ka rrugë alternative por rruga alternative është e gjatë dhe jo e mira ndaj dhe nuk është shumë e përshtatshme për banorët e zonës”, u shpreh ministrja.
Gjithashtu vijoi ajo, do të ketë një rrugë më të shkurtër që është nyja në Thumanë – Milot që nis menjëherë pasi jemi në firmosjen e kontratës.
Gjithashtu theksoi ministrja, për t’i dhënë një zgjidhje provizore banorëve të Thumanës, ata do të përdorin një mbikalim ekzistues në Granzë me një ramë të dedikuar që do të ndërtohet për ta në javët në vazhdim, duke u lidhur kështu deri ditën kur do të kemi rrethrrotullimin dhe mbikalimin e plotë në zonën e hyrjes së Thumanës dhe atëherë do të pushojë zgjidhja provizore.
“Me banorët e Thumanës jemi dakordësuar që në rast se ata do ta shohin të arsyeshme, ne mund ta konsiderojmë që dhe mbikalimin e Granzës në të ardhmen ta kthejmënë një nyje permanente, duke i dhënë Thumanës jo një akses që është i parashikuar qartazi në projekt (Thumanë -Milot ) por dhe një akses tjetër që është 4 km më tutje që është ai i Granzës që do të përdoret për momentin në mënyrë provizore”, deklaroi Balluku.
Balluku shpjegoi se përsa i takon Rrugës së Kombit pjesa e Milotit është mbyllur për shkak të sigurisë.
“Kemi ndërtuar 720 km rrugë paralele në këtë pjesë të Rugës së Kombit, duke rritur sigurinë rrugore”, deklaroi Balluku teksa solli shifrat që më parë në këtë segment shënohenin 37 aksidente ndërsa me ndërtimin e rrugës paralele nuk shënohet asnjë rast aksidenti./ata