Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim të vitit 2017, si dhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare të nënshkruara nga Republika e Maqedonisë së Veriut (RMV). Kështu thuhet në qëndrimin e presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev, me rastin e përfundimit të fushatës zgjedhore në Maqedoninë e Veriut dhe ceremonisë së inaugurimit të presidentes së re të vendit, Gordana Siljanovska-Davkova.
“Bullgaria vazhdimisht dhe qartë e ka shprehur qëndrimin e saj se marrëveshjet duhet të përmbushen”, theksoi Radev.
Ai përkujtoi se Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, nga e cila burojnë detyrat dhe përgjegjësitë përkatëse.
“Jam i bindur se perspektiva evropiane e RMV-së varet nga përmbushja e rreptë e marrëveshjeve ndërkombëtare në të cilat është palë, si dhe nga ato të miratuara nga Këshilli Evropian në korrik 2022. Korniza e negociatave me BE-në, si informacion për institucionet përgjegjëse në RMV, nuk do të rishikohet”, thonë nga shërbimet e shtypit të presidentit bullgar./BalkanWeb