Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka zhvilluar një bisedë telefonike me kancelarin gjermane Olaf Scholz, ndërsa ka zbuluar se temë e bisedës ka qenë edhe çështja e dialogut me Kosovën në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në një postim në rrjetet sociale, Vuçiç shkruan se i tha kancelarit Scholz se Prishtina shmang me këmbëngulje krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kemi shkëmbyer mendime për të gjitha çështjet delikate në kuadrin e ngjarjeve aktuale globale dhe posaçërisht diskutuam për vendin dhe rolin e Serbisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe për rrugën evropiane të vendit tonë. Kancelarin Scholz e informova në detaje për gjendjen pothuajse të patolerueshme për komunitetin serb në Kosovë, si dhe për shmangien e vazhdueshme të Prishtinës për të përmbushur obligimet e pranuara dhe të nënshkruara, veçanërisht në lidhje me formimin e Asociacionit”, ka shkruar Vuçiç./BalkanWeb