Kur Erdina Laca shkon për të bërë pazar ushqimesh në Eichsfeld këto ditë, ajo nxjerr një kartë të veçantë pagese që është vetëm për azilkërkuesit.
Ajo nuk paguan më me para në dorë për mollët, vezët dhe peshkun që blen – si shumica e gjermanëve që qëndrojnë në radhë.
Laca, 45 vjeçe, erdhi nga Shqipëria me bashkëshortin dhe tre fëmijët e saj dhe aplikoi për azil në Gjermani shtatorin e kaluar. Familja jeton në qarkun Eichsfeld në shtetin lindor të Thuringia dhe ka qenë një nga të parat në vend që ka marrë gjysmën e përfitimeve të qeverisë në formën e pagesave pa para me një kartë plastike.
“Me gjysmën e parave që është në kartë, unë mund të blej sende ushqimore dhe me gjysmën tjetër (me para në dorë) mund të blej në çdo dyqan gjithçka që më nevojitet për mua dhe fëmijët e mi,” tha Laca për Ap.
Rregulli i ri, i cili u miratua nga parlamenti muajin e kaluar, kërkon që azilkërkuesit t’i marrin përfitimet në një kartë për përdorim në dyqanet vendore dhe të paguajnë për shërbimet. Ata do të jenë në gjendje të tërheqin vetëm shuma të kufizuara parash dhe nuk do të jenë në gjendje të transferojnë para jashtë Gjermanisë. Qëllimi është të parandalohen migrantët që të dërgojnë para te familja dhe miqtë jashtë vendit ose te kontrabandistët.
Ata thonë se njerëzit që ikin nga lufta dhe persekutimi nuk do të pengohen të vijnë në Gjermani vetëm sepse përfitimet e tyre nuk do të paguhen më vetëm në para. Në vend të kësaj, ata pretendojnë se kartat e pagesës do t’i veçojnë emigrantët dhe ndoshta mund të shtojnë më tej izolimin e tyre.
“Duhet thënë mjaft qartë se njerëzit po vijnë për shkak të luftës civile dhe persekutimit – dhe ata nuk do të ndalen nga një kartë pagese,” tha Ëiebke Judith nga Pro Asyl. “Qëllimi këtu është krijimi i një instrumenti diskriminimi dhe ngacmimi të refugjatëve.”
Gjermania është përpjekur të frenojë migracionin prej muajsh dhe kjo masë e fundit vjen vetëm disa javë para zgjedhjeve të Bashkimit Evropian më 9 qershor.
Partia e ekstremit të djathtë të Gjermanisë Alternativa për Gjermaninë, ose AfD i ka shfrytëzuar me sukses qëndrimet ngurtësuese të gjermanëve ndaj emigrantëve.
AfD, e cila mban një qëndrim kundër emigracionit, pritet të ketë fitime të konsiderueshme krahasuar me 10.3% që fitoi partia gjatë zgjedhjeve të fundit federale në 2021.
Qëndrimet ndaj migracionit janë forcuar në Gjermani pas mbërritjes së një numri të madh azilkërkuesish përveç refugjatëve nga Ukraina dhe autoritetet vendore kanë luftuar për t’u gjetur strehim.
Numri i personave që aplikuan për azil në Gjermani vitin e kaluar u rrit në më shumë se 350,000, një rritje prej pak më shumë se 50% krahasuar me një vit më parë.
Numri më i madh i azilkërkuesve erdhi nga Siria, të ndjekur nga turqit dhe afganët./SyriNet