Më këtë titull e nis një shkrim media greke Protothema, duke sjellë në vëmendje ideimin dhe realizimin e një automjeti sportiv në Kosovë, nga një kosovar, dhe dedikuar atë shqiptarëve dhe politikisht Ramës, edhe pse nuk ka asnjë lidhje mes autorit dhe kryeministrit shqiptar.
Illyrian Pure Sport, i njohur ndryshe edhe si SD+, është një projekt jashtëzakonisht ambicioz në fushën e supermakinave, me promovimin e tij të mbështetur në mënyrë aktive nga shteti shqiptar. E projektuar dhe ndërtuar në Shqipëri, makina është kulmi i një përpjekjeje strategjike për ta vendosur vendin në hartën globale të prodhimit të automjeteve luksoze dhe me performancë të lartë.
Supermakina e re Illyrian Pure Sport do të ketë një motor 6.2 litra V8 LT2, me 840 kuaj fuqi. Specifikimet e Illyrian Pure Sport janë mbresëlënëse. Makina është në gjendje të përshpejtojë nga 0 në 100 km/h në më pak se 3 sekonda, ndërsa shpejtësia maksimale e saj i kalon 370 km/h. Këto performanca, të kombinuara me sistemin e pezullimit të kontrolluar elektronikisht dhe sistemin e avancuar të lëvizjes me katër rrota, e bëjnë SD+ një nga supermakinat më dinamike dhe më të sigurta në treg.
Illyrian Pure Sport do të jetë makina e parë me specifika ndërkombëtare që do të ndërtohet në Shqipëri dhe çmimi i saj do të fillojë nga 1.2 deri në 1.7 milionë euro – në varësi të specifikimeve.
Prodhuesi dhe dizenjuesi i saj, Qëndrim Thaçi vjen nga fshati Llapushnik i Komunës së Drenasit, i cili me familjen kishte emigruar në Itali dhe kishte jetuar atje për 15 vjet.
Ai ka qenë gjithmonë adhurues i makinave që nga fëmijëria e tij, por pavarësisht sfidave, ai arriti të ndërtojë një makinë që dëshiron të konkurrojë me Lamborghini Aventador dhe Ferrari 812 Superfast.
Thaçi është i certifikuar në shkollën italiane të dizajnit industrial, e njohur si eAD, edhe pse më herët ka magjistruar në stomatologji. Ai ka marrë pjesë në projekte shumë të mëdha, si për markat Ferrari dhe Lamborghini. “Unë jam duke punuar me TREDITECH e cila prodhon makinat më të shpejta në botë,” tha ai.
Në vitin 2016 themeloi kompaninë Arrera, e cila fillimisht ishte thjesht një kompani jofitimprurëse, por me kalimin e viteve e bëri fitimprurëse, përfundon shkrimi i Protothemas. /tesheshi.com/