Një komision parlamentar në parlamentin e Izraelit (Knesset) ka votuar për të përjashtuar ligjvënësin Ofer Cassif për mbështetjen e padisë së Afrikës së Jugut që akuzon Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Rripin e Gazës.
Knesset njoftoi se masa për përjashtimin e ligjvënësit izraelit u miratua me 14 vota pro kundrejt dy votave në Komitetin e Brendshëm.
Impiçmenti tani do të hidhet në votim në plenumin e Knesset-it, ku një minimum prej 90 ligjvënësish duhet të votojnë pro për të marrë formën përfundimtare dhe që Cassif të përjashtohet nga Knesset.
Cassif është një anëtar hebre i Partisë Hadas-Ta’al me shumicë arabe.
Të premten, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e gjeti të besueshëm pretendimin e Afrikës së Jugut se Izraeli po kryen gjenocid. Gjykata lëshoi një urdhër të përkohshëm duke i kërkuar Izraelit të ndalojë pengimin e dërgesave të ndihmave në Gaza dhe të përmirësojë situatën humanitare.
Pavarësisht vendimet që bëjnë thirrje për ndalimin e sulmeve kundër palestinezëve, Izraeli vazhdon sulmet në Rripin e Gazës dhe nuk ndërmerr hapat e nevojshme për të siguruar që ndihma humanitare të arrijë civilët.
Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 26.751 palestinezë dhe duke plagosur 65.636 të tjerë.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), ofensiva izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar./aa