Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, shpalli çeljen e edicionin VIII të Konkursit Kombëtar “Novelat Grafike Shqiptare 2024” duke ftuar të gjithë të rinjtë, deri në moshën 29 vjeç, për të ndarë idetë kreative në botën e veçantë të artit grafik.

Punimet më të mira do të vlerësohen me çmime.

Kjo nismë vjen në mbështetje të veprimtarive dhe projekteve të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si pjesë e politikave të saj kulturore, me qëllim edukimin dhe formimin cilësor të brezit të ri nëpërmjet arteve, në mbështetje të krijimtarisë aplikuese të konkursit të novelave grafike.

Qëllimi final i këtij aktiviteti kulturor është edukimi artistik dhe gjuhësor përmes vlerave të trashëgimisë kulturore materiale dhe jomateriale, të aplikuara në gjininë e novelave grafike, si dhe mbajtja gjallë e kulturës popullore. Tematika e veprave duhet të bazohet në tematika shqiptare nga: trashëgimia kulturore, 80-vjetori i Çlirimit të Atdheut, letërsia shqiptare, legjenda dhe përralla, gojëdhëna, zakone dhe tradita,  kinematografi shqiptare etj.

Ky projekt synon, gjithashtu, mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Për këtë arsye, rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet përdorimit të onomatopeve në novelat grafike. Për sa i përket teksteve shoqëruese, ato mund të jenë në gjuhën shqipe standarde, në dialekt ose në gjuhën e pakicave kombëtare. Afati i dorëzimit të punimeve është data 31 korrik 2024./ata