Rreth 29 mijë nxënës të klasave të 9-ta në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen sot provimit të parë, atij të gjuhës shqipe.
Provimi nis në orën 10:00, ndërkohë që nxënësit do të kenë në dispozicion 2 orë e 30 minuta për të plotësuar të gjitha pyetjet e testit.
Nxënësit duhet të paraqiten në shkollë 1 orë para se të fillojë provimi.
Në datën 25 qershor do të zhvillohet provimi i matematikës dhe 28 qershor gjuha e huaj.
Provimi i gjuhës së huaj mund të jetë në anglisht, frëngjisht, italisht apo gjermanisht, në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të ulët, trajtohet si gjuhë e huaj e detyruar në nivelin gjuhësor.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu uroi sot suksese 29 mijë nxënësve, të cilët nisin sot provimet kombëtare të arsimit bazë, duke filluar me provimin e Gjuhës Shqipe e më pas në Matematikë, Gjuhë e Huaj dhe Gjuhë Amtare.
“Provimi do të kryhet në 350 qendra që do të administrohen dhe monitorohen nga institucionet arsimore. Jam e bindur që do të jepni më të mirën tuaj”, tha Manastirliu./ata