Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Ana Kapaj theksoi sot se qeveria shqiptare angazhohet të mbështesë me shifrën e 165 600 dollarëve studentët që do të përfitojnë bursë për programin e shkëmbimit akademik “Fulbright” mes Shqipërisë dhe SHBA.
Në fjalën e saj në Komisionin për Politikën e Jashtme, ku u diskutua projektligji “Për Ratifikimin e memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë (Këshilli i Ministrave) dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për programin e shkëmbimit akademik “Fulbright”, Kapaj theksoi se “kjo marrëveshje ka një historik shumëvjeçar. Është një marrëveshje që ka filluar dhe daton që herët, që në 1945, ku përfshihen rreth 155 vende në nivel botëror që kanë përfituar nga kjo marrëveshje me SHBA si në nivel studentësh ashtu edhe staf akademik dhe kërkuesish shkencor”.
“Kjo marrëveshje që paraqesim sot është një rinovim të marrëveshjes të vitit 2019 dhe ka pasur një kohëzgjatje 5 vjeçare dhe prej kësaj marrëveshje të 2019 kanë përfituar disa studentë dhe staf akademik. Angazhimi i qeverisë shqiptare është për mbështetje të bursave studentore, ku studentëve shqiptarë iu ofrohen bursa 1 deri 2-vjeçare për të vazhduar studimet në nivelin master”, nënvizoi Kapaj.
Përveç bursave në nivel studentor, vijoi Kapaj, kjo marrëveshje mbulon edhe bursa në nivel të kërkimit shkencor të stafit akademik të institucioneve të arsimit të lartë dhe të instituteve dhe qendrave të kërkimit shkencor.
“Nga kjo marrëveshje e vitit 2019 kemi 10 studentë që kanë përfituar nga fondi i dhënë nga qeveria shqiptare të shpërndarë në vite. Për përfitimin e kësaj burse bëhet një thirrje e hapur për të gjitha aplikimet, mbi bazën e dokumentacionit dhe më pas ndiqen të gjithë procedurat që përmban kjo thirrje”, theksoi Kapaj.
Ajo shtoi se kjo marrëveshje është dërguar në të gjitha ministritë e linjës për dhënie mendimi dhe të gjitha ato kanë shprehur dakordësinë e tyre.
Ndërsa kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli tha se “kërkimi shkencor në universitetet tona për fusha që kanë një bazë reale që nesër dijet e tyre do të shërbejnë për rritjen e GDP-së së Shqipërisë, për rritjen e mirëqenies, të sektorëve të ndryshëm ekonomikë, të cilësisë së mësimdhënies”.
Programi i shkëmbimit “Fulbright” është një vlerë e shtuar në fuqizimin e bashkëpunimit me partnerin strategjik, SHBA, në fushën e arsimit, shkencës dhe kërkimit./ata