Fluksi i lartë i turistëve të huaj që po zgjedhin vitet e fundit Shqipërinë si destinacion turistik ka nxjerrë në pah nevojën për shtimin e kapaciteteve akomoduese.

Qeveria i ka bërë thirrje të rinjve dhe emigrantëve të kthehen dhe të investojnë kursimet e tyre në shtëpitë e të parëve të tyre për t’i kthyer ato në bujtina të vogla mikpritëse, ndërsa edhe shteti do të mbështeste financiarisht.

Kryeministri Edi Rama përcolli sot pamje të bujtinës së Lulzim Hupit, një ish-emigrant në Greqi, i cili është rikthyer tek rrënjët në Bulqizë, e ku me mbështetjen e shtetit ai rilindi “Kullën Hupi”.

“Gur i rëndë në vend të vet. Pas gjashtë vitesh emigrant në Greqi, Lulzim Hupi, u kthye përpara disa vitesh tek rrënjët në Bulqizë, ku e priste shtëpia e rrënuar e stërgjyshërve dhe ku me mendjen e muskujt e kalitur në emigracion, kursimet e vakteve të pangrëna, si edhe mbështetjen e shtetit ai e rilindi “Kullën Hupi”, e cila tanimë ia sjell në pragun e tij atje mes maleve e ajrit të pastër, bashkë me vizitorët nga Shqipëria, grekët, italianët, anglezët e të huajt e tjerë që rezervojnë dhomat e konsumojnë ushqimin tradicional të zonës, duke u bërë burimi i shumë më tepër të ardhurave nga turizmi në rrënjën e vet, se sa nga puna për të tjerët në emigracion”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.

Nga Athina, ku dje u takua me shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, kryeministri Edi Rama teksa përsëriti ftesën për emigrantët të kthehen në Shqipëri, lajmëroi nisjen e një program të veçantë për të gjithë emigrantët shqiptarë që duan të investojnë kursimet e tyre në fshatra dhe zona malore të Shqipërisë.

“Ne po bëjmë gati këto kohë një program të veçantë për të gjithë emigrantët shqiptarë që duan të investojnë kursimet e tyre në fshatra dhe zona malore të Shqipërisë, për t’i kthyer shtëpitë dhe trojet atje, në hallka të zinxhirit tonë të ri të turizmit”, tha Rama.

Shqipëria u vizitua vitin e shkuar nga 10.1 milionë turistë të huaj, ndërsa autoritetet në vend thonë se këtë vit parashikohet që të vijnë mbi 14 milionë turistë të huaj./ata