Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ka prezantuar dy manuale për dorëzimin dhe shqyrtimin e ankesave në fushën e prokurimit publik për autoritetet dhe operatorët ekonomikë. Për herë të parë në katërmbëdhjetë vite të themelimit të Komisionit të Prokurimit Publik, për ti ardhur në ndihmë operatorëve ekonomikë dhe autoriteteve dhe enteve kontraktore, KPP prezanton dy manuale për procedurat e ankimimit.

Në workshopin ku u bë prezantimi e manualeve mbi procedurat e ankesave për autoritetet kontraktore dhe operatorët ekonomikë në fushën e prokurimit publik, punuar nga Komisionit të Prokurimit Publik dhe me konsulencën e ekspertëve të Sigma OECD morën pjesë 292 përfaqësues të autoriteteve kontraktore dhe operatorëve ekonomikë si dhe 176 pjesëmarrës, të cilët zgjodhën ta ndjekin workshop-in online. Gjithashtu mbi 300 pjesëmarrës e ndoqën këtë workshop në kanalin Youtube.

Në fjalën e tij Kryetari i KPP, Jonaid Myzyri tha se sfidat shumëdimensionale të përballuara nga Komisioni i Prokurimit Publik në këtë rrugëtim 14-vjeçar nuk kanë qenë të ndryshme nga ato të vetë sistemit të prokurimit publik në Shqipëri.

“Nga shpejtësia në procesin e shqyrtimit të ankesave, në ligjshmërinë dhe qëndrueshmërinë e plotë në vendimmarrje, ankesat në rrugë shkresore në ato digjitale, janë disa prej momenteve që të gjithë ne së bashku si Komision dhe ju si grupe interesi kemi mësuar shumë nga njëri- tjetri dhe jemi përpjekur të përmirësohemi në proceset tona të punës, me një motiv të vetëm, përmirësimin e sistemit të rishikimit administrativ në prokurimin publik. Ndaj, sot falë bashkëpunimit tonë, kemi mundur të digjitalizojmë tërësisht procesin e ankimit administrativ, duke shndërruar në detyra digjitale çdo parashikim ligjor, nga dorëzimi, komunikimi dhe shqyrtimi i ankesave, duke iu kursyer operatorëve ekonomikë mbi 150 mijë kilometra rrugë në vit, radhë kilometrike në banka dhe shërbim postar, dyer që mbylleshin dhe mijëra faqe të printuara dhe letra dërguar institucioneve”, tha Myzyri.

Duke folur për arritjet e KPP sa i përket kohës së shqyrtimit të ankesave, Myzyri theksoi: “Shpejtësia në vendimmarrje është rritur dhe vetëm 9.4% e ankesave shqyrtohen jashtë afatit nga 22.2 %, 4 vite më parë, ndërkohë që koha mesatare e shqyrtimit të ankesave është ulur në 10 ditë nga ardhja e informacionit të autoritetit kontraktor nga 30 ditë të kërkuara nga ligji. Qëndrueshmëria në vendimmarrje konsolidohet çdo ditë edhe falë numrit të ulët të padive me 4.4 % nga 10 %, 4 vite më parë. Për herë të parë në 14 vite, KPP publikon vendimmarrjet interpretuese, ku vetëm në vitin e kaluar janë mbi 50 të tilla, për t’i ardhur në ndihmë autoriteteve kontraktore dhe operatorëve ekonomikë në procesin e dorëzimit dhe shqyrtimit të ankesave.

Dëgjimi i palëve dhe grupeve të interesit ka qenë në fokusin tonë, ku mbi 22 orë seanca dëgjimore audio të regjistruara në sistemin tërësisht modern të Sistemit të Ankesave Elektronike janë zhvilluar në vitin e kaluar, ndërkohë kemi marrë sugjerimet tuaja përmes pyetësorit vjetor dhe kemi përmirësuar ofrimin e shërbimit në rrugë elektronike”.

Sot, vijoi më tej gjatë fjalës së tij Kreu i Komisionit, Myzyri, KPP rreshtohet në krahë të organeve shqyrtuese të prokurimit të Evropës Juglindore, si vend anëtar dhe themelues i rrjetit të OSHP-ve të Europës Juglindore dhe duke nisur nga viti i kaluar, vend me statusin e vëzhguesit në organet shqyrtuese të prokurimit të Bashkimit Europian.

“Katërmbëdhjetë vite më pas dhe pas 15 amendamenteve të tre ligjeve të prokurimit publik nga vitet ’90 e sot, sot jemi në një moment të ri historik, atë të ndryshimit të  konceptit të zhvillimit të procedurave të prokurimit publik në Shqipëri.

Nga data 20 mars 2024, kanë hyrë në fuqi ndryshimet e ligjit të prokurimit publik, miratuar me ligjin nr. 16/2024, ku disa prej tyre prekin drejtpërdrejtë edhe procesin e rishikimit administrativ.

Kështu, të gjitha procedurat e prokurimit të nisura pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore, do t’i nënshtrohen regjimit të ri të dorëzimit të ankesave dhe argumenteve, si edhe çdo komunikim i autoriteteve apo enteve kontraktore do të kryhet vetëm nëpërmjet Sistemit të Ankesave Elektronike. Gjithashtu, të gjitha argumentet e subjekteve të interesuara në përputhje me nenin 113 të ligjit nr. 162/2020 “Për prokurimin publik” të ndryshuar, do të paraqiten vetëm në Sistemin e Ankesave Elektronike.

Me dorëzimin e ankesës dhe argumenteve në Sistemin e Ankesave Elektronike, ky i fundit në mënyrë automatike, mundëson dërgimin në të njëjtën kohë pranë autoriteteve/enteve kontraktore dhe Komisionit të Prokurimit Publik.

Një ndryshim tjetër me rëndësi është edhe ai i afateve procedurale të paraqitjes së ankesës pranë KPP-së kundër vendimit të autoritetit ose entit kontraktor, ku operatorët ekonomikë që kanë paraqitur argumente në përputhje me nenin 113 të ligjit kanë tashmë mundësi të ankohen brenda 7 ditëve nga marrja e njoftimit nga autoriteti/enti kontraktor për procedurat e prokurimit nën kufirin e lartë monetar dhe brenda 10 ditëve për procedura mbi kufirin e lartë monetar, në përputhje me nenin 114 të ligjit për prokurimin publik. Kështu afati i ngutshëm 5-ditor, tashmë është rritur me 7 dhe me 10 ditë, duke e përafruar tërësisht me direktivën e mjeteve të ankimit këtë afat procedural.

Gjithashtu, ndryshime të rëndësishme prekin edhe veprimet procedurale të Komisionit, ku vendimet deklarative për pjesën e pranuar të ankesës nga ana e autoriteteve/enteve kontraktore për dokumentet e tenderit dhe në rastin e ankesave për vendimin e vlerësimit/klasifikimit, kur nuk ka ankesa nga operatorët ekonomikë të interesuar të cilët kanë paraqitur argumentet e tyre sipas pikës 1 të nenit 113 të ligjit, do të dalin së bashku me vendimin përfundimtar mbi themelin e procedurave.

Zbatimi në kohë i vendimmarrjeve të Komisionit të Prokurimit Publik, ka marrë një vëmendje të veçantë në ndryshimet e ligjit të ri. Ne jemi të bindur, se një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar dhe se zvarritja e zbatimit të vendimeve jo vetëm që nuk është e shëndetshme për sistemin e prokurimit, por ndikon drejtpërdrejtë në përdorimin e procedurave me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Ndaj, me ndryshimet e reja ligjore, Komisionit i është dhënë e drejta, që t’i vendosë masë administrative gjobë deri në 500,000 lekë titullarit të autoriteteve kontraktore, për moszbatim brenda afatit të vendimeve, në mënyrë të pajustifikuar”, theksoi Myzyri./ata