Janë zhvilluar në Akademinë e Shkencave takime të redaksive të “Enciklopedisë shqiptare”, të ngritura sipas disiplinave në Tiranë e në Prishtinë.
Të pranishëm, përveç anëtarëve të redaksive të ngritura në Tiranë, kanë qenë edhe anëtarët e redaksive nga Prishtina.

Takimet u zhvilluan me një qëllim kryesor, që deri më 25 maj të shmangen përsëritjet dhe të arrihet në një fjalës themelor të integruar për “Enciklopedinë shqiptare”, e cila, pavarësisht organizimit të redaksive, do të jetë një vepër unike, me një listë të përbashkët të njësive enciklopedike.

Fjalësi i përbashkët është një kusht që mundëson zbatimin e kufijve dhe pragjeve të përbashkët përgjatë zbatimit dhe nuk përbën pengesë që të zbatohet parimi i territorialitetit në ndarjen e punës.

Në fjalësin e integruar do të përfshihet sipas fushave edhe lista e njësive enciklopedike të propozuara prej redaksisë së posaçme të trashëgimisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Lista e integruar bën të mundur një përfytyrim të plotë mbi raportet mes saj dhe numrit të përgjithshëm të njësive që do të përmbajë “Enciklopedia shqiptare”, me jo më shumë se 10 mijë artikuj. Këto raporte do të shërbejnë për të reflektuar nëse duhet të thellohet përzgjedhja apo ka hapësira për plotësime, sepse nga vetë natyra e tyre enciklopeditë kanë disiplinën e “shtratit të Prokrustit”.

Procesi i takimeve dhe bashkëbisedimeve midis redaksive sipas grupfushave të përafërta do të vazhdojë deri më 25 maj 2024. Gjatë muajit qershor do të kalohet prej fjalësit të integruar në fjalësin e stabilizuar./ata