Në të gjitha libraritë e Tiranës dhe nëpër rrethe ka dalë në qarkullim libri më i ri nga Gent Demi.

Libri është botuar nga shtëpia botuese “Zenit” e cila njihet si galeri te pallatet “Agimi” por edhe për botimet e fundit nga përkthyesi i madh Halit Selfo të rrëfimtarisë për fëmijë.

Libri i Gent Demit titullohet thjesht “!” por se çfarë mban ai brenda është një mister derisa hap faqen e parë dhe fillon leximin.

Të gjithë ndoshta pyesin veten se kush është Gent Demi. Poeti në fakt njihet shumë pak për njerëzit e zakonshëm dhe shumë për njohësit e poezisë underground.

Ai ka shkruar dhe tregime, përkatësisht vëllimin me prozë të shkurtër “Qyteti i përsosur”, por kjo para disa vitesh. Ai i kishte munguar penës shqipe. Për të dhënë një tablo sa më të plotë të librit po sjellim dhe një fjalë të shkurtër nga botuesi Krenar Zejno.

« Botim i ri

Autori: Gent Demi

Titulli: !

Zenit editions 2024.

Si një trajtë vetëprezantimi 'poetik' paraprak i autorit, mund të rrijë mirë edhe kjo poezi e çeljes së vëllimit të tij, si lëndë e parë për ta vijuar mandej në libër njohjen e thelluar.

Një fjalë goje kjo… po kush shtyhet tani të marrë dhe gjithë librin, për më tepër libër me poezi! E që ka për titull veç një shenjë pikësimi dhe një emër autori shenjuar zbehtë në kopertinë sa mezi të duket, zgjedhje e lutjeve të vetë autorit.

Aq më mirë për autorin, përsaqë i përket atyre rasteve kur mungesa e vëmendjes do ta shtynte për të mbërritur ca më shpejt aty ku është nisur me kohë: nga poezia e lartë e kondensimit të trishtimit, për te gjendja e epërme e sublimimit: poetika e pikëllimit. Duke e kaluar shkurt edhe stadin e dëshpërimit, e duke kompensuar kësisoj edhe kohën e gjatë pa botuar poezitë. Zgjedhje e tij, por, për mendimin tonë, pa patur mirë parasysh benefitin e botimit: pra, atë pas botimit:

indiferencën ndaj autorit të mirë. Përfitim i jashtëzakonshëm për poezinë e mirë të një autori tillë. Autorë që, shtuar edhe shpëfilljen, e qajnë pikëllimin, gjer metafizik.

Monologu i lëndës së parë

Quhem Njeri dhe jam pemë

e heshtur

e përjetshme

Druvarë të gëzuar më sharrojnë dhe më ngarkojnë.

Nën lëvozhgën time të trashë

kaq kohëra të vdekura

m’i zhdukën sytë

edhe gojën.

Një tra memec jam që mban shtëpinë,

një xhufkë zbukuruese në kopshte festash

apo altar i gdhendur që skulptorët e plagosën

me daltat e tyre të trishtimit

për ta adhuruar.

Quhem Njeri dhe jam dru

i dhënshëm, i pafjalë.

Një botë të tërë krijova pa e kuptuar kush.

Jam dera që ende pret të kthehesh,

krevati ku u shtrive fëmijë dhe u ngrite burrë.

U bëra dysheme, shkallë, bastun

dhe korniza e fotografisë në të cilën nuk plakesh.

Jam far me dritë të lashtë, të burgosur…

Kërcu jam

i përflakur, në oxhak

që ngroh kofshët e grave të druvarëve dhe faqet

e fëmijëve të tyre.

Jam Njeriu por jam pemë,

një trishtim pingul në perëndim të ditëve,

shtyllë që ruan brenda ëndrrat e të varurve,

stalakmit nën këtë shpellë të qiellit

që koha, pikë pikë, i jep shtat

dhe mençuri pa dobi.

Jam kali i drunjtë i gëzimit të fëmijëve

që rrotullohen ngadhnjimtarë në luna-parqet e Trojës.

Jam njeriu që u bë dru, që u bë kryq

që të gozhdojnë mbi të Njeriun

përgjithmonë.

dhe pastaj,

letër higjenike që fshin gjakrat e Historisë

së një mitre që ende s’pjell dot njerëz.

Prandaj hesht kur më sharrojnë

sikurse vetëm pemët dinë të heshtin.

Pyjet që sheh në muzg

janë varreza, pa rojtarë,

jetësh që pushuan së u përpjekuri për lavdi.

Njeri-pemë jam

Dhe e vetmja gjë që më tremb

është hekuri që ftohtësisht më imiton.

Kjo masë e fortë, pa jetë, pa shpirt,

futet kudo duke më zbuar prej shtëpive,

prej lodrave, prej bankave shkollore.

Pyje shterpë shufrash lartëson

ku asnjë qenie aty s’jeton dot

përveç teje.

Hekuri pra më frikëson, të cilin

prapë, unë vetë e gatova, me prushin tim

që të bëhet sharrë… apo shpatë

e të më shpëtojë ndoshta

nga përjetësia

Athinë 2017” – shkruan Zejno duke na dhënë edhe nepërmjet një poezie të Demit dhe shijen e stilit të autorit./ata