Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i gatshëm për zgjedhje të parakohshme, por ka theksuar nevojën e një konsensusi më të gjerë edhe me partitë opozitare për shpërndarjen e Kuvendit.

“Duhet të diskutojmë me të gjitha subjektet politike dhe të shohim se cila është data për të cilën pajtohemi më së shumti. Unë do të isha dakord për një gjë të tillë…Për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten 80 vota dhe LVV-ja nuk i ka. Njëkohësisht unë nuk do të preferoja që të shpërndahet Kuvendit me dy parti, apo tri. Pse mos të bëhemi të gjithë bashkë. Është në natyrën e opozitës që të kërkojë zgjedhje, ndërkaq unë jam në vitin e fundit të mandatit, qeverisja ime në këtë mandat nuk mund të zgjasë më shumë sesa disa muaj. Për mua nuk është thelbësore a do të qeverisi në këtë mandat edhe 10 muaj, tetë, apo tre muaj. Por është e rëndësishme që të kemi një konsensus sa më të gjerë për datën e zgjedhjeve”, tha Kurti.

Më tej Albin Kurti paralajmëroi se do të insistojë të takohet edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, pavarëisht refuzimit të tyre për takimin e sotëm.

 

Duke folur për marrëdhëniet me ShBA-në, Albin Kurti tha se ato nuk bazohen se kush janë në pushtet, demokratët apo republikanët, pasi amerikanët janë aleati dhe partneri i pazëvendësueshëm për Kosovën.

Lideri opozitarë, Memli Krasniqi është i vetmi që ka pranuar ftesën për takim të kryeministrit Albin Kurti, ndërkaq kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj kanë refuzuar ftesën, me arsyetimin se diskutimi për agjendën legjislative është në domenin e Kuvendit./KosovaPress/