Kryeministri Edi Rama deklaroi sot qeveria shqiptare po negocion me Filipinet për krah pune.
Në një intervistë në medie, Rama theksoi se mungesa e forcës së punës është një problem që nuk ka prekur vetëm vendin tonë por të gjitha vendet.
Rama foli për ftesën që iu drejtoi shqiptarëve në Greqi për t’u kthyer dhe për të investuar në agroturizëm.
“Unë mendoj shumë thjesht dhe sot nuk ju thashë hajde kthehuni, por atë që besoj që sot kush është në Greqi, ka bërë punë, ka fituar eksperiencë, ka në Shqipëri një pronë në fshat, një shtëpi të vjetër një mundësi që të investojë, as nuk diskutohet. E ka të sigurtë se në fund të vitit do të fitojë këtu shumë më shumë se fitojnë me pagën që marrin. 800 euro merr një kamarier në Radhimë e fle tek prindërit e nuk ka nevojë të paguajë. Ka plot shqiptarë që janë kthyer dhe janë prova që kjo funksionon dhe jemi në një cikël që do të fillojë duke u zbutur, e tregon koha. Në gjithë atë furi zhurme e rrëmuje, shumë gjëra nuk besohen”, u shpreh ai.
Sot bizneset në Shqipëri, nënvizoi Rama, i kanë të gjithë kapacitetet të marrin punëtorë të huaj.
“Çdo shqiptar që ikën, është një krah pune që ikën, ndërkohë që ne duam më shumë krahë pune. Por nga ana tjetër, sot bizneset në Shqipëri i kanë të gjithë kapacitetet të marrin punëtorë të huaj dhe fillon dhe bëhet një lloj balancimi i një niveli të caktuar punëtorësh të huaj që deri dje për shembull, punëtorët e Bangladeshit tani as nuk shkojnë t’i kërkojnë, kërkojnë punëtorë më të kualifikuar. Sot që flasim, ne po bëjmë një negociatë me Filipinet. Tani të të jap një shembull: Filipinet kanë shumë popull dhe shumë krahë pune dhe e përdorin këtë. Po të shikosh radhën e vendeve që nga Austria e vende të tjera plot, 38 vende janë në radhë për të nënshkruar marrëveshje me Filipinet që të marrin krahë pune. Kjo është një situatë e përgjithshme”, deklaroi Rama./ata